Moska ka frenuar negociatat për paqe. Ministri i jashtëm, Sergei Lavrov ka deklaruar se Rusia duhet të jetë pjesë e çdo bisedimi ndërkombëtar për garancitë e sigurisë së Ukrainës, duke e quajtur përjashtimin e Kremlinit “rrugë pa krye”.
Lavrov theksoi gjatë vizitës në Jordani se përpjekjet evropiane janë një “përshkallëzim agresiv” dhe një “përpjekje e ngathët për të bindur Trumpin”.
Ai kërkoi gjithashtu që të përfshihet edhe Kina si aleate e Rusisë dhe të jetë një nga garantuesit e sigurisë, duke ringjallur një propozim të vitit 2022.
Deklaratat vijnë pas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë se ka nisur përgatitjet për një takim mes Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskyy. Presidenti Donald Trump tha se ishte i gatshëm të lejonte një takim fillestar mes tyre pa praninë e tij, por mbetet i gatshëm të ndërhyjë “nëse është e nevojshme”.
Moska ka reaguar me kujdes ndaj kësaj ideje. Lavrov paralajmëroi se një takim i tillë kërkon “kujdes maksimal”.
Ndërkohë, disa vende si Vatikani, Zvicra dhe Hungaria janë përmendur si të gatshme për të pritur një takim të mundshëm, por situata e orëve të fundit nuk duket optimiste.
Një dron rus shpërtheu të mërkurën në territorin e Polonisë, ndërsa reagoi menjëherë ministri i jashtëm, Radoslav Sikorski, duke e cilësuar provokimin e radhës nga Moska.
Po ashtu, orët e fundit mediat raportojnë se zbatimi i “Nenit 5” të NATO-s po artikulohet gjithnjë e më shumë nga liderët europianë në lidhje me Ukrainën, e cila në fakt nuk është midis 32 vendeve të aleancës.