Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kritikuan të premten Kosovën, duke thënë se përdorimi i forcës për të detyruar kryetarët e komunave të marrin përsipër detyrat në zonat me shumicë serbe, minon përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë fqinje, shkruan agjencia kroate e lajmeve “Hina”.
Të shtunën, NATO-ja i bëri thirrje Kosovës që të ulë tensionet me Serbinë.
Përplasjet mes policisë së Kosovës dhe protestuesve që kundërshtojnë udhëheqësit shqiptarë shkaktuan reagimin e Serbisë dhe presidenti Aleksandar Vuçiq e vuri ushtrinë në gatishmëri luftarake të premten dhe e urdhëroi atë të afrohej në kufi me Kosovën.
“Ne dënojmë me vendosmëri hapat provokues të ndërmarrë nga Prishtina, të cilat e sollën situatën në ethe dhe kërcënuan drejtpërdrejt sigurinë e të gjithë Ballkanit. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mbajnë përgjegjësi të plotë për këtë”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Marija Zakharova.
“Ndërmjetësit perëndimorë” u kujtuan shumë vonë për të qortuar Kosovën, shtoi Zakharova.
Drejtori i Departamentit të Katërt Evropian të Ministrisë së Jashtme ruse, Yuri Pilibson, konfirmoi se Moska do të vazhdojë të mbështesë Beogradin në “mbrojtjen e të drejtave të saj legjitime, sovranitetin dhe integritetin territorial”.
“Është e nevojshme që çdo vendim për Kosovën të jetë i pranueshëm për serbët dhe i miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, tha Pilibson në fjalën e tij, raporton “Russia Today”.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Beogradin në mbrojtjen e të drejtave të tij legjitime, sovranitetin dhe integritetin territorial… Nuk kemi arsye të dyshojmë në stabilitetin e udhëheqjes së Serbisë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave kombëtare”, shtoi ai, transmeton Klankosova.tv.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka vënë ushtrinë e tij në gatishmëri të lartë për shkak të zhvillimeve në Kosovë ditën e djeshme.
Dje, serbët lokalë të tri komunave veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, bllokuan hyrjet e objekteve komunale duke pamundësuar kështu hyrjen e kryetarëve shqiptarë të cilët morën mandatet e tyre pas zgjedhjeve të 23 prillit.
Për pasojë, në Zveçan pati përplasje mes protestuesve dhe policisë, ku të lënduar mbetën 5 policë ndërsa u dëmtuan edhe disa automjete të Policisë së Kosovës. Nga ana e protestuesve nuk ka pasur të lënduar, sipas njoftimeve zyrtare.