Rusia dhe Uzbekistani e kanë nënshkruar një marrëveshje, sipas të cilës, Moska do ta ndërtojë një central të vogël bërthamor në vendin e Azisë Qendrore.
Kjo marrëveshje ishte në mesin e disa marrëveshjeve të nënshkruara më 27 maj në Tashkent mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe homologut të tij uzbek, Shavkat Mirziyoev.
Lideri uzbek e lartësoi projektin si “jetik” në një komunikatë të publikuar nga zyra e tij për media pas bisedimeve me Putinin, në të cilët u theksua se Uzbekistani i ka “rezervat e veta të mëdha të uraniumit”.
Ndërkohë, Putini u zotua se do të bëjë “gjithçka për të punuar në mënyrë efikase” për tregun e energjisë bërthamore të Uzbekistanit.
Nëse kjo marrëveshje miratohet, centrali bërthamor do të jetë i pari në Azinë Qendrore, dhe do ta thellojë edhe më shumë ndikimin rus në rajon.