Niko Peleshi, ministër i Mbrojtjes dhe Bledi Çuçi, ministër i Brendshëm i Shqipërisë sot në një konferencë të përbashkët për shtyp kanë dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e së shtunës ku tre turistë, dy rusë dhe një ukrainas, u futën në uzinën e Gramshit dhe plagosën dy ushtarë shqiptarë.
Peleshi u shpreh se kjo ngjarje duhet parë me kujdes pasi mund të ketë pasur synim për të devijuar vëmendjen nga një tjetër skenar.
“Nuk është hera e parë që turistët kanë kuriozitet të fotografojnë zona të vjetra të ushtrisë. Ka disa nivele klasifikimi të bazave të ushtrisë. Padyshim, ato që janë të klasifikuara, nuk është e lehtë të depërtohet. Por kemi edhe shumë zona të tjera që mund të vizitohen me leje. Ky është rasti i tri uzinave tona. Ne nuk kemi sot industri ushtarake. Mund të ketë pasur synim për të devijuar vëmendjen nga një skenar tjetër. Çdo ngjarje duhet ta shohim edhe në mënyrë të tërthortë. Kemi SHISH, policinë dhe struktura të tjera që përpunojnë çdo informacion”, tha Peleshi./A2