Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, ka bërë me dije se eksportet e Kosovës gjatë vitit 2023 kanë pësuar rënie në krahasim me vitin 2022.
Ai ka vlerësuar se bëhet fjalë për një rënie prej 101 milionë euro.
Në profilin e tij në “Facebook”, Rukiqi ka shkruar se kjo rënie drastike e eksporteve shpërfaq dështimet e kësaj Qeverie.
“101 milionë euro më pak eksporte në vitin 2023. 4.84 miliardë euro deficiti tregtar i vitit 2023. – 920 milionë e 405 mijë euro, ishin eksportet e Kosovës në vitin 2022. 819 milionë e 64 mijë euro, ishte vlera e mallrave të eksportuara në vitin 2023. Plot 101 milionë euro më pak eksport, në krahasim me vitin paraprak. Kjo rënie drastike në eksport dhe thellimi i deficitit tregtar (rreth 2 miliardë më shumë në dy vitet e fundit), janë shpërfaqje evidente e dështimit të kësaj Qeverie, në qeverisjen me ekonominë e vendit. Ka indikacionë të qarta nga tregu, që rënia e eksporteve në vitin 2023, mes tjerash është rezultat edhe i sanksioneve, të cilat na erdhen si rezultat i përplasjes direkte të kësaj Qeverie me aleatët. Të tjerët duhet të na lakmojnë për këto “rekorde”.”, ka shkruar Rukiqi.