Gazetari Lirim Mehmetaj ka bërë një ndarje të qartë mes rolit historik të Ibrahim Rugovës dhe qëndrimeve të Donika Gërvallës, duke vënë theksin në dallimet në qasjet dhe veprimet e tyre.
Mehmetaj deklaroi se Rugova dëshmoi në Hagë kundër Sllobodan Millosheviqit, ndërsa Donika Gërvalla ka deponuar materiale kundër themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale.
“Donika Gërvalla ka shkuar në Hagë dhe ka deponuar materiale kundër themeluesve të UÇK-së. Rugova ka shkuar në Hagë e ka deponuar dëshmi kundër Sllobodan Millosheviqit. Pra, ndarja është jashtëzakonisht e madhe,” ka thënë Mehmetaj në “Debat Plus”.
Sipas Mehmetajt, biografia e vetëshkruar e Gërvallës përfshin një moment ku ajo i quan “ekstremistë të luftës” ushtarët e UÇK-së, në kontekstin e varrimit të babait të saj, Jusuf Gërvalla, në vitin 2002.
“E ka një biografi në internet Donika Gërvalla, biografi që vetë e ka shkruar. Dhe thotë se në vitin 2002, varrimi i babait të saj, heroit Jusuf Gërvalla, ‘ka qenë eventi i parë i madh që nuk ishte kontrolluar nga ekstremistë të luftës pas vitit 1999.’ Pra, ushtarët e UÇK-së i quan ekstremistë të luftës. Tani paramendoni, a do të kishte mundësi të ishte në një parti me babanë e vet, i cili është përgjegjës pse kemi pasur UÇK-në. Tani bëni dallimin mes saj dhe Rugovës”, ka thënë Mehmetaj.
Mehmetaj shtoi se kjo tregon distancën e saj ideologjike nga UÇK-ja, ndërsa kujtoi mbështetjen e Rugovës për këtë krah ushtarak gjatë Konferencës së Rambujesë, kur presidenti historik deklaroi se “ose qëndron UÇK-ja, ose nuk qëndron asnjë nga ne”.
“Sipas Mark Wellerit, kur në Rambuje është kërkuar dëbimi i UÇK-së nga konferenca nga pala serbe, me pretendimin se nuk e njohin si palë, Rugova ka thënë: ‘Ose qëndron UÇK-ja, ose nuk qëndron asnjë nga ne’”, ka shtuar Mehmetaj.
Ndërkohë, Donika Gërvalla, gjatë një fjalimi në Istog, ka thënë se “shpirti i Ibrahim Rugovës” është në “Guxo,” e jo në subjektin politik që Rugova kishte themeluar, LDK.
“LDK-ja e Rugovës ka vdekur, të nderuar zonja dhe zotërinj, por shpirti i tij jeton në partinë Guxo. Kushdo që pyet nga vjen Guxo dhe çfarë na shtyn përpara mund të shoh atë. Rugova është në Guxo, jo më në lidhjen e re, në rrugën e re, pra në qorrsokak. Për këtë arsyeje unë i ftoj votues tradicional të LDK, nëse ju ende besoni vizionin e presidentit Rugova, nëse ende besoni në një të drejt të qëndrueshme, derën e keni të hapur në partin Guxo”, ka thënë Gërvalla.