Durimi është i nevojshëm në përpjekjen e ShBA-ve për të ndërmjetësuar paqen mes Rusisë dhe Ukrainës, por “ne nuk kemi kohë për të humbur”, tha sot Sekretari i Shtetit Marco Rubio, duke paralajmëruar Moskën që të mos paraqesë një propozim jorealist për armëpushim, raporton CNN.
“A po na mbajnë pezull? Këtë po përpiqemi të kuptojmë. Do ta mësojmë shumë shpejt,” tha Rubio në emisionin “Face the Nation” të CBS-it.
“Ata ranë dakord që do të shkëmbejnë dokumente me ide që çojnë në një armëpushim. Nëse ato dokumente përmbajnë ide që janë realiste dhe të arsyeshme, atëherë mendoj se do të dimë që kemi bërë përparim,” tha Rubio, pasi delegacionet ruse dhe ukrainase u takuan në Turqi të premten. “Nëse, nga ana tjetër, ato dokumente përmbajnë kërkesa që e dimë se janë jorealiste, atëherë do të kemi një vlerësim tjetër.”
“Ka një element durimi që kërkohet. Por nga ana tjetër, nuk kemi kohë për të humbur, kështu që nuk duam të përfshihemi në një proces me bisedime të pafundme,” shtoi Rubio.
Sekretari i Shtetit shprehu optimizëm se plani i Presidentit Donald Trump për të folur drejtpërdrejt nesër në telefon me homologun rus Vladimir Putin mund të zhbllokojë situatën.
Rubio nuk pranoi të thoshte nëse po planifikohet një takim ballë për ballë, por theksoi se Trump e ka ofruar një të tillë.