Mbrojtja në gjykimin e katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, sot fillon dëshminë në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja e ish presidentit Thaçi është ish ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin.
Rubin i cili sot dëshmon në mbrojtje të katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte ndihmëssekretar i shtetit për çështjet publike dhe zëdhënës zyrtar gjatë administratës së Bill Clinton dhe sekretarit të shtetit Madeleine Albright. Ai ishte një nga figurat kyçe të politikës së jashtme të ShBA-së në fund të viteve ’90.
Ai luajti një rol të rëndësishëm në komunikimin e politikës amerikane gjatë luftës së Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s në 1999, njofton Klankosova.tv.
Rubin ka vizituar shpesh rajonin dhe ka qenë një përkrahës i zgjidhjeve diplomatike për krizën në Kosovë dhe stabilitetin në rajon. Ka mbrojtur publikisht ndërhyrjen e NATO-s si të domosdoshme për ndalimin e spastrimit etnik nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
Kujtojmë se javën e kaluar ai tha se ka shumë për të treguar mbi atë periudhë, ndërsa në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 11 prill 2023, Rubin kishte deklaruar se “UÇK-ja luajti rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në çmilitarizimin e premtuar prej tyre”