Ish-diplomati amerikan James Rubin, në një intervistë në Klan Kosova, ka shprehur shqetësim të madh për procesin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Rubin, i cili gjatë viteve ’90 ka punuar me ish-sekretaren amerikane të Shtetit Madeleine Albright dhe ka qenë i përfshirë në themelimin e Tribunalit të parë për krime lufte, tha se një dënim ndaj Thaçit do të ishte “goditje e rëndë për të drejtën ndërkombëtare”.
Sipas tij, ideja bazë e gjykatave të tilla ka qenë gjithmonë përgjegjësia individuale dhe jo ndëshkimi kolektiv.
“Mendoj se gjykata do të bënte vetë një dëm shumë të madh ndaj të drejtës ndërkombëtare sepse kur punoja për Madeleine Albright, kur e kishim themeluar Tribunalin për krime të luftës, në vitin 1993, të parin, ideja ishte që të caktohej faji individual, E jo të fajësohej bashkërisht njëra palë ose tjetra”.
“Kjo është tash ajo që po ndodhë, të fajësohen Hashim Thaçi dhe liderët e tjerë të UÇK për gjërat që nuk kanë ditur dhe nuk mund të ishin përgjegjës, do të ishte fajësim kolektiv i shqiptarëve, kështu do të rritej dhuna. Andaj, duhet gjetur kryesit dhe të dënohen ata, ky është edhe qëllimi i sundimit të ligjit dhe këtyre tribunaleve”, tha Rubin.