Është e qartë se burimi kryesor i kërcënimit në këtë pjesë të botës është dezinformata e krijuar nga Rusia, tha James Rubin, i dërguari special dhe koordinator i Qendrës për Angazhim Global të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shkup.
Siç raporton Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase (mk.voanews.com), vlerësimi i Rubinit, i cili po viziton një pjesë të Ballkanit Perëndimor, është se ky rajon është nën ndikimin e fortë të manipulimeve të përhapura nga strukturat e lidhura me Rusinë dhe Kinën.
“Unë do të thosha se hapësira këtu është seriozisht e ‘helmuar’ kryesisht nga dezinformatat ruse. Presidenti Putin mendoi se mund të pushtonte Ukrainën dhe ta ndante atë, por ai dështoi. Por kjo nuk do të thotë se Rusia nuk vazhdon të përhapë ‘helmin’ e dezinformimit dhe ndarjes”, tha ai.
Rubin beson se Serbia është një nga “bazat” kryesore prej nga burojnë dezinformatat dhe manipulimet lidhur me rajonin.
Ai e argumentoi këtë pretendim me faktin se mediat ruse që mbështesin Kremlinin vazhdojnë të veprojnë në Serbi.
Një ndikim i tillë, sipas James Rubin, ndikon edhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Duke folur për Rusinë, ai tha se është i sigurt se në Kremlin ka njerëz që nuk duan që Maqedonia e Veriut të përparojë drejt BE-së.
“Jam i sigurt se ata janë ulur diku dhe mendojnë se çfarë të bëjnë për ta bërë problem, dhe gjithçka që mund të them është se qeveria vendore do të punojë me ne për të krijuar një qasje më të gjerë sociale për të luftuar dezinformimin, së bashku me institucionet, ligjet, standardet”, tha Rubin.
Më herët në Shkup, Rubin ka biseduar për luftën kundër dezinformatave me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, ministrin e Shoqërisë Informative dhe Administratës, Azir Aliu dhe ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Rista Penova, dhe veçmas ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska.
Rubin tha për VOA se është mirë që lidershipi i Maqedonisë së Veriut është i vetëdijshëm për këto probleme në vendin e tyre. Ai paralajmëroi rritje të bashkëpunimit ndërmjet Uashingtonit dhe Shkupit, para së gjithash në nivelin teknik dhe transferimin e përvojës amerikane jo vetëm në luftën kundër dezinformatave dhe lajmeve të rreme, por edhe në zbulimin e burimeve.
Rubin nesër në mëngjes në Shkup do të takohet edhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendrovski.
I dërguari i posaçëm dhe koordinatori i Qendrës për Angazhimin Global të Departamentit Amerikan të Shtetit ndodhet prej ditës së djeshme në një turne rajonal, të cilin e nisi në Mal të Zi dhe gjatë të cilit do të vizitojë edhe Shqipërinë deri të premten, më 14 prill.
Rubin ka qëndruar edhe në Kosovë.