James Rubin në një intervistë për REL ka folur edhe për rolin e UÇK-së për t’i dhënë fund luftërave të Serbisë, ku ai vetë ishte i përfshirë si i dërguar shtetit amerikan. Rubin ka vlerësuar kjo ka ndodhur kur Hashim Thaçi mori vendimin e guximshëm për të pranuar marrëveshjen e Rambujes.
James Rubin, në kohën e luftës në Kosovë si ndihmëssekretar i Shtetit amerikan ishte i përfshirë dhe kishte rol të madh në të gjithë ndërmarrjen amerikane të asaj kohe për ta ndalur Serbinë në atë që po bënte në Kosovë, në fund madje edhe me bomba, pasi negociatat nuk ndikonin te ish presidenti serb Slobodan Millosheviq. Rubin sërish i është kthyer rajonit të Ballkanit, por me një rol tjetër. Ai është ngarkuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, për të luftuar dezinformimin rus në rajonin e Ballkanit i cili sponsorizohet prej Rusisë përmes mediave të caktuara, me bazë në Serbi, e me degë të tyre edhe në Mal të Zi e Maqedoni të Veriut, por pa përjashtuar edhe vendet e tjera të rajonit.
Rubin, i cili ishte pjesë e rëndësishme e ekipeve amerikane që po merreshin me Kosovën gjatë kohës së luftës, u pyet për rolin e UÇK’së në atë kohë. Ai riktheu në kujtesë se si SHBA në ditët e para të daljes së UÇK’së kishte pasur qëndrim krejt tjetër për këtë organizatë, qëndrim i cili me kohën evoluoi.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për UÇK-në evoluoi. Në ditët e para, para se të dija shumë për të, ne i kishim dënuar aktivitetet terroriste që ishin kryer nga grupet shqiptare”, tha Rubin.
Ai tutje tha se UÇK me kalimin e kohës u bë faktor kryesor dhe ishte vendimi i guximshëm i Hashim Thaçit për ta pranuar marrëveshjen e Rambujesë ai që më pas solli procese të tjera të cilat në fund rezultuan që Kosova të jetë kjo që është sot, një vend i lirë, demokratik, me vlera perëndimore.
“Por, me evoluimin e procesit të paqes, UÇK-ja u bë qendra e atij procesi të paqes dhe ishte Hashim Thaçi, në bisedimet e Rambujesë, ai që mori vendimin e guximshëm për të rënë dakord me Marrëveshjen e Rambujesë. Dhe, ky ishte vendimi që lejoi NATO-n t’i mbështeste shqiptarët e Kosovës. Po të mos ishte marrë ai vendim, nuk mendoj se do të rrinim kaq të lumtur dhe të lirë në një qytet modern evropian këtu në Prishtinë”, tha Rubin.
Ai foli për rolin e UÇK’së edhe pas çlirimit të Kosovës.
“Pra, UÇK-ja luajti një rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në zbatimin e çmilitarizimit të premtuar prej tyre. Dhe, siç më thanë në atë kohë, nëse ne i zbatonim premtimet tona për ta përdorur fuqinë ushtarake në emër të tyre, ata do t’i zbatonin premtimet e tyre. Ata i zbatuan premtimet e tyre për t’u çmilitarizuar dhe kanë qenë duke punuar ngushtë me KFOR-in dhe me përfaqësuesit zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtu për shumë e shumë vite”.
“Mendoj se është e drejtë të thuhet se ajo marrëdhënie ishte ajo që u mundësoi shqiptarëve ta shmangnin atë që do të ishte një masakër e madhe në këtë pjesë të botës. Kështu që, unë kam kujtime të dashura të punës me liderët e tyre. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë që ka ndodhur në atë kohë të luftës është diçka që unë do ta mbështesja. Natyrisht, ka gjëra që janë bërë. Por, le të jemi qartë, kërcënimi erdhi nga forcat ushtarake serbe, kërcënimi i masakrimit masiv erdhi nga forcat ushtarake serbe”.
I dërguari amerikan, thotë se më vonë u pa që edhe UÇK kishte probleme, por sipas tij, nuk duhet pretenduar që të rishkruhet historia.
“Dhe, po, UÇK-ja me gjasë kishte probleme që u ekzaminuan dhe u panë që nuk ishin të përsosura. Por, nuk mendoj se duhet ta rishkruajmë historinë për këtë temë”.