Ish-diplomati amerikan James Rubin ka thënë se nuk mendon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë shteti kyç në nismën për themelimin e Dhomave të Specializuara të Hagës.
Në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, ai ka deklaruar se Bashkimi Evropian ishte ai që dëshironte që Kosova të formonte Gjykatën Speciale.
“Duhet ta them se nuk kam qenë në qeveri kur ka ndodhur kjo. Sa më kujtohet, ka qenë gjatë administratës së parë të Trumpit dhe nuk mund të jem i saktë sa i përket kësaj. Nuk mendoj se ka qenë SHBA-ja motori kryesor prapa Tribunalit të Hagës, por ka qenë Bashkimi Evropian.”
“Kanë qenë liderët evropianë që e donin këtë gjykatë, për të treguar se Kosova ishte duke ndjekur sundimin e ligjit. SHBA-të ndoshta e kanë mbështetur këtë ide, por nuk mendoj se kanë qenë motori shtytës i kësaj,” ka thënë Rubin.
Rubin shtoi se themelimi i Speciales mund të ketë qenë gabim, si dhe shpreson për lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë në proces gjyqësor.
“Sipas të gjitha gjasave, mendoj se ka qenë gabim në retrospektivë themelimi i kësaj gjykate. Por, sidoqoftë, ka qenë e rëndësishme të ndiqeshin dhe të dëgjoheshin gjyqtarët, dhe besoj se pasi të përfundojë e gjitha, do të lirohet Hashim Thaçi dhe të gjithë të akuzuarit e tjerë,” theksoi Rubin