18.5 C
New York
Saturday, September 20, 2025

Buy now

Rubin, e vërteta, madhështia e UÇK-së dhe Hashim Thaçit, rëndësia e dëshmisë së tij

- Advertisement -

Shkruan Ardian Bajraktari

1. James Rubin e paraqiti UÇK-në siç ka qenë, ndryshe nga që dëshironim të ishte dhe ndryshe nga sa e paraqisnin aleatët amerikanë

Dëshmia për tri ditë radhazi e ish ndihmës sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. James Rubin, në procesin gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së në Hagë, ishte e vërteta, ishte dëshmi nga ana një personi jo vetëm të besueshëm, por nga personat më të informuar, nëse jo më i informuari i kohës, për rrjedhjen e ngjarjeve, për procesin nëpër të cilin ka kaluar vendi ynë, për rrjedhat e luftës.

Ishte një nga personat e thirrur, përveçse i ngarkuar i posaçëm nga Sekretarja e Shtetit, ishte edhe i informuar në detaje, madje (sikurse e konfirmoi vet) nga shumë burime tejet kredibile të informacioneve, çka nuk lë asnjë mundësi e hapësirë me qenë ndryshe.

Duke qenë i ngarkuar i posaçëm i Sekretares amerikane dhe i mirë informuar, deri në detaje, si rrallë kush tjetër, ai e deklaroi faktin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka qenë organizatë guerile, nuk ka pas strukturë dhe hierarki, nuk ka pasur komandë të centralizuar dhe as mundësi kontrolli të gjendjes në terren, as ushtrim efektiv të kontrollit, në territorin e Kosovës, ndryshe nga që thuhet në aktakuzë, fq. 61 dhe 62.

Këtu ndër të tjera theksohet se UÇK‐ja ushtronte kontroll solid territorial në pjesë të mëdha të Kosovës, të cilin e zbatonte përmes strukturës së saj komanduese të centralizuar deri te struktura në terren e komandantëve të zonave operative, çka rezultoi në aftësinë e saj për të kryer operacione ushtarake të bashkërenduara.

Një konstatim i tillë në aktakuzë, rezulton të mos jetë i qëndrueshëm, bazuar në deklarimet e z. Rubin. Pra, nga dëshmia e z. Rubin, UÇK-ja, u paraqit organizatë guerile, pa strukturë komanduese të centralizuar dhe pa një organizim, u paraqit siç ishte, ndryshe nga që e donim dhe e dëshironim të ishte, si dhe ndryshe nga sa e paraqisnin me theks të veçantë aleatët tanë, amerikanët.

2. A ia ulë madhështinë ky fakt UÇK-së dhe Hashim Thaçit?

Paraqitja e tillë e UÇK-së, nuk ia ulë në asnjë formë vlerën dhe madhështinë asaj e as z. Thaçi si koordinuesi i politikës së UÇK-së. Nuk ia ulë vlerën dhe madhështinë UÇK-së për faktin se jo vetëm se dëshmohet se kjo ishte e vërteta, por mbi të gjitha, është vet qëllimi i arritur. Qëllimi ishte çlirimi, ishte liria dhe më vonë pavarësia e vendit, ato flasin për rezultatin, flasin për madhështinë e UÇK-së dhe të z. Thaçi si koordinues politik i saj.

Madje, është pikërisht politika vizionare e UÇK-së dhe e z. Thaçi ajo që e bënë diferencën e shumë organizimeve dhe kryengritjeve të mëhershme, shekullore. Është vizioni, largpamësia dhe besimi në aleatët e veçmas në amerikanët i z. Thaçi.

Besimi i tij rezultoi me suksesin historik të popullit të Kosovës, rezultoi me çlirimin dhe më vonë edhe pavarësinë e vendit, prandaj edhe pa qenë e organizuar dhe e strukturuar, ndryshe nga sa mëtohet të paraqitet.

Pa asnjë mëdyshje, UÇK-ja ishte dhe është e madhe, UÇK-ja është e lavdishme, UÇK-ja është adn-ja e lirisë sonë dhe se z. Thaçi personifikohet me politikën vizionare dhe largpamëse.

Dëshmia e z. Rubin rizbuloi modestinë e Thaçit megjithëse i shoqëruar me vështirësi jo të pakta, në kapacitete koordinuese, përherë me besim të palëkundur në aleatët, amerikanët.

Kjo e bën z. Thaçi, strateg të luftës dhe paqes, ai me një ushtri që në terren ka qenë e pabarabartë krahasuar me forcat e ushtrisë jugosllave, ka arritur të nxjerrë maksimumin nga marrëveshja e Rambujesë, Kosovën shtet të pavarur.

3. Pse është e rëndësishme dëshmia e një dëshmitari si z. Rubin në procedurë?

Si rregull, në procedurë penale, dëshmia e dëshmitarit është provë në procedurën penale, është një nga provat, por kur kemi të bëjmë me dëshmitar, përveçse të besueshëm edhe dëshmitar kyç, dëshmitar, okular, i pranishëm në shumë ngjarje dhe i njohur deri në detaje, si dhe i mirë informuar, madje në detaje për rrjedhjen e ngjarjeve, e bën dëshmitarin Rubin, dëshmitarin nga më kryesoret në këtë proces, së paku nga ata që i kemi dëgjuar deri më tani.

Fakti që deklarimet e tij, për ngjarjet e njëjta, i vazhdoi edhe dëshmitari pasues, Williams, kjo shkon një hap më tutje, ngase përforcohet konstatimi i një dëshmitari, dhe rrjedhimisht, nuk kemi të bëjmë më vetëm me një dëshmi, me një provë në procedurë.

4. Dëshmia e z. Rubin, nuk është thjeshtë një dëshmi (provë) në procedurë, është shumë më shumë se kaq

Si rregull, koha e gjatë është armiku i padukshëm i së vërtetës, por sikurse çdo rregull që ka përjashtimet e saja, edhe kjo ka përjashtim, fakti që kanë kaluar më shumë se 25 vite nga lufta, nga ngjarjet që janë pjesë e aktakuzës, ka mundësuar që administrata amerikane të bëj de klasifikimin e shumë informacioneve, gjegjësisht dokumentacioneve, siç janë raportet, kabllogramet e të ngjashme.

De klasifikimi i tyre, mundëson përdorimin e të njëjtave si prova të pranueshme dhe të besueshme në procedurë, e të tillat shkojnë në funksion të konstatimit të së vërtetës.

Prandaj, sikurse u pa, me theks të veçantë gjatë procesit të marrjes në pyetje të z. Rubin nga mbrojtja e z. Thaçi, deklarimet e tij, në jo pak raste mbështeteshin edhe në dokumente dhe prova konkrete materiale, andaj kjo nuk ishte thjeshtë një dëshmi e një dëshmitari, ishte shumë më shumë se sa kaq, ishte e vërteta, e cila vetëm se do të përforcohet si e tillë në ditët dhe javën në vazhdim.

Po ashtu, e rëndësishme dhe esenciale është fakti se fuqia e dëshmisë së z. Rubin lidhet me faktin se garant për këtë dëshmi ishin edhe dy zyrtare të Departamentit të Shtetit të SHBA-së të cilat siguroheshin që çdo deklaratë e tij ishte kompatibile me gjetjet, konstatimet dhe informatat e verifikuara nga agjencitë qendrore brenda SHBA.

Zoti e ndihmon të drejtin dhe kur atij i duhej më së shumti ndihma, zakonisht, vije!

Të ngjashme

Të fundit