“Greva është zëri ynë”, “Pa paga s’ka punë”, “Rrogën tonë e kërkojmë”, janë disa nga pankartat të cilat punëtorët e RTK-së i mbajnë në duar teksa kërkojnë pagën e tyre që nuk e morën tash e 24 ditë, e që për herë të parë shihet aty edhe Rilind Gërvalla, raporton Ekonomia Online.
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së i ka bërë thirrje Qeverisë dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që të bëjnë një zgjidhje, e nëse kërkesat e tyre do të injorohen sërish, kryetari i sindikatës Gëzim Bimbashi paralajmëroi se do ta bojkotojnë fushatën elektorale dhe ngjarjet me karakter politikë.
Bimbashi teksa tregoi se pakënaqësinë e tyre e shprehen në dhoma e lajmeve të RTK-së, shtoi edhe se tashmë kanë hyrë në grevë dy orëshe.
“Prej sot jemi në grevë dy orëshe. Më herët kemi hyrë në edicionin e lajmeve, në vendin e punës sonë ku punojmë çdo ditë për ta shprehur pakënaqësinë tonë. Po hyjmë në muajin e dytë pa asnjë sinjal nga askush. Prandaj injorimi i kërkesave tona na kanë sjellë deri këtu. Na kanë injoruar kërkesat. Iu kemi bërë thirrje Kuvendit, por u shpërnda Kuvendi , e tash po kërkojmë Te Qeveria, te Kryeministri Kurti. i bëjmë thirrje kryeministrit Kurti të ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, sepse ka zgjidhje ligjore, gjatë kësaj kohe kam takuar avokat dhe njohës të ligjit e ku më janë prezantuar disa nga format që mundet Qeveria e republikës së Kosovës me i ndërmarrë shumë shpejtë dhe nuk bie ndesh me ligjin, prandaj kjo mbetet në vullnetin e Qeverisë dhe kryeministrit Kurtit. Ne besojmë, shpresojmë që do të gjendet një zgjidhje sepse situata çdo ditë e më shumë po shkojmë afët kolapsit dhe jo pse dëshirojmë ne por po na pamundësohet me dalë me i kry punët tona me kontratë. Paramendoni shumë prej kolegëve tanë nuk i pyet kjo situatë se a kanë para për tu mjekuar nga sëmundjet e ndryshme, a kanë para për kredi, a kanë para për të dërguar fëmijët shkollë e më e rëndësishme është RTK, televizioni publik”, tha ai.
Bimbashi tregoi masat që do të ndërmarrin.
“Nëse nuk kemi përgjigje nga Qeveria do të bëjmë thirrje dhe do të marrim vendim që fushata elektorale nuk do të mbulohet por edhe të gjitha ngjarjet që janë me karakter politik. Nuk kemi dalë me adresu fajtorin por me kërku të drejtën ligjore”, theksoi Bimbashi.
Ndërsa kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha i cili sërish ka shprehur mbështetjen e pakontestueshme të tyre karshi kësaj padrejtësie. Rexha ka bërë thirrje që të ndalohet edhe presioni politik mbi RTK-në, e që sic thotë shihet qartë ndikimi i Vetëvendosjes, e me theks në edicionin e lajmeve.
“Kjo është një situatë e paprecedentë, e papranueshme për transmetuesin publik në gjendjen në të cilën është. Ne përkrahim grevën e sotme por edhe masat e tjera në të ardhmen që do të ndërmarrin, siç tha Gëzimi, siç është bojkotimi i fushatës zgjedhore e që do të ishte hapi minimal. Si AGK, e ripërsëritmi se ka vetëm një adresë e që është Qeveria e Kosovës, dhe kryeministri Albin Kurti dhe ministrit të Financave Hekuran Murati të cilët kanë një paraparë për të ndërmarr hapa për shkak se tash nuk janë deputetë…RTK është sic u tha afër kolapsit dhe shpresoj që ky nuk është interesi i Qeverisë së Kosovës që ta shoh të kolapsojë e të dështojë transmetuesi publik pasi që transmetuesi publik është një vlerë e shtetit të Kosovës dhe shohim me keqardhje presionin politik dhe ndikimit politik të partisë politike Vetëvendosjes në RTK. Në këtë fazë sidomos në edicionin e lajmeve është e qartë se VV ka ndikim në politikat redaktuese dhe thirrja e AGK-s është që të ndalohet ky presion politik dhe financiar”, theksoi Rexha.
Për dy orë, pra nga ora 11:00 deri në ora 13:00 punëtorët e RTK-së nuk do të punojnë, teksa kanë paralajmëruar edhe masa të tjera sindikale.









