Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se Serbia në këtë fazë duhet ta njohë de facto shtetin e Kosovës.
Madje sipas tij, nuk është hap i duhur në qoftë se Kosova fokusohet vetëm tek një çështje.
“Serbia duhet ta njohë de facto në këtë fazë shtetin e Kosovës, ta respektojë integritetin territorial, t’i pushojë pretendimet territoriale ndaj shtetit të Kosovës. Për aq kohë sa Serbia nuk heq dorë nga Kosova, nuk e kemi ndërmend t’ia japim armikut një armë më shumë për ta luftuar shtetin e Kosovës. Kosova nuk duhet ta fokusojë energjinë e as diskutimin vetëm te një çështje”, deklaroi Rrustemi në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Rrustemi u shpreh kështu gjatë diskutimit për planin e pesëshes diplomatike për ringjalljen e dialogut Kosovë-Serbi.
Në një takim të diplomacisë ndërkombëtare, emisarët nga Evropa dhe Amerika kanë prezantuar një plan të ri për të ringjallur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Vizita e pesëshes në Kosovë kishte për qëllim të zbutë tensionet dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme pas sulmit terrorist në veri.