Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore.
Rrustemi thotë se katër kryetarët në veri nuk e kanë legjitimitetin e plotë, por kanë legalitet me aq vota sa janë zgjedhur.
“Është e vërtetë që katër kryetarët aktual nuk e kanë legjitimitetin të plotë, maksimal e as të themi mesatar të popullatës. Por, e kanë legalitetin e plotë, ligjor e kushtetues të zgjedhur me aq vota sa janë, por janë të paktët, personat e vetëm që kanë vota në një proces të tillë”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Sipas tij, janë të gatshëm për zgjedhje të parakohshme, por me procedura ligjore.
“Ne kemi shprehur gatishmërinë në krye të herës që jemi të gatshëm natyrisht për të shkuar në drejtim të zgjedhjeve të parakohshme atje, por në një procedurë ligjore, me procedurë institucionale. Jo me veprime siç bënin thirrje e paralajmëronin kinse me detyrim të kryetarëve për t’u dorëhequr”, deklaroi deputeti pozitar.
Ai tha se dorëheqja nuk është zgjidhje institucionale dhe ligjore.