Mbase janë të paktë, këtu në Kosovë dhe aq më pak në mërgatë që të mos e njohin apo nuk kanë dëgjuar për Rrustem Aliajn apo familjen Aliaj, e cila tash e shumë vite bën një biznes të suksesshëm, mbi djersën, angazhimin, korrektësinë, besueshmërinë dhe humani tetin ndaj gjithë shqiptarëve kudo që janë.
Rrustemi bashkë me familjen kanë dhënë shumë dhe janë mbështetës të fuqishëm të sportit të Kosovës, në veçanti futbollit. Sa për ri kujtesë Rrustem Aliaj bashkë më të shoqen Dashurije dhe mbarë familja pronarë të kompanisë tashmë të mirënjohur “Malësia-Reissen”, para më shumë se 10 viteve bashkë me shumë dashamirë të futbollit në Mushtisht themelojnë klubin Mushtishtit, i cili ka garuar në Ligën e parë të Kosovës. Dhe këtu nuk ndalen ndihma për futbollin e Kosovës, duke tejkaluar jo vetëm kufijtë e këtij klubi, por edhe të Kosovës. Kështu kur më 2004 këshilltari për sport i Kofi Ananit dhe ish kryetari i Zvicrës z. Adolf Ogi, si mysafirë special të turneut U-16 që mbahet nën përkujdesjen e OKB-së, ftoi të rinjtë e Prishtinës, Rrustem Aliaj ishte njëri ndër sponsorët kryesor që u përkujdes që Prishtina atje të udhëtojë si një skuadër e madhe, që nga pajisjet themelore deri në fluturimin e të rinjve në Leichtenstein.
Gjatë gjithë turneut familja e Rrustem Aliajt ishte në shërbim të klubit Prishtina, madje e gjithë ekspedita prishtinase nga Rrustemi ishte shpërblyer edhe me para xhepi. Dhe këtu nuk përfundon rrëfimi për kontributin e këtij njeriu. Duke u miqësuar me kryetarin e KO të Turneut të Leichtensteinit, z. Hanspeter Rothmund, z. Aliaj bashkë me të në vitin 2006, bëjnë një projekt sporti për paqe, duke sjellë në kryeqytetin e Kosovës ekspertët nga Manchester Unitedi, Fulhami, Ajaxi, Federatat e Futbollit të Zvicrës dhe Gjermanisë si dhe të rinjtë e këtyre skuadrave, për mësuar bashkërisht, se si punohet me grup-moshat e reja, si duhet gjykuar ndeshjet e shumë e shumë të tjera.
Stadiumi i qytetit në Prishtinë dhe në Mitrovicë për disa ditë u shndërruar në qendra të mendjes dhe dijes për lojën e futbollit. Ishte ky një projekt që kapte shumën e mbi 120 mijë eurove, ndërsa Rrustem Aliaj dhe kompania e tij mbuloi shumë mbi 70 mijë eurove të këtij projekti shumë të vlefshëm në drejtim të ngritjes profesionale të trajnerëve e gjyqtarëve. Pikërisht në prill të 2006-tës klubi Mushtuishti në një ceremoni madhështore shënon 10 vjet ishte orin e themelimit, Rrustemi sërish vjen në krye të klubit dhe dhuron pajisje të mëdha për klubin. Mërgata jonë gjithandej Evropës nuk e harron kurrë Turneun e madh si “Malesia Cup” në futboll të vogël që për 10 vjet 2005-2015 ishte pikëtakimi i gjithë shqiptarëve, që Cyrihun e shndërroi në një “Mekë të tyre për të u takuar bashkërisht.
Rrustemi i dha shpirt jo vetëm klubit “Mushtishti” tash FC” Suhareka”, por tërë fshatit, duke dhënë mbi 50 mijë euro për xhaminë e fshatit, ujësjellësin, shkollën dhe shumëçka pati nevojë ky fshat me mbi 700 shtëpi. Mbështetja e tij për sportin e Kosovës vazhdon edhe sot e kësaj dite. Për të gjitha këto, Rrustem Aliaj edhe sot flet me modesti duke konsideruar si një ndihmë të vogël dhe obligim ndaj sportit të Kosovës. Ndërsa, njerëzit e futbollit në Kosovë si dhe të MKRS-së duhet që njerëz të tillë të mos i harrojnë asnjëherë.
Sërish është Rrustem Aliaj, ai që u vu në krye duke u bërë president i klubit më të ri në futbollin e Kosovës FC” Suhareka” që garon në Ligën e Parë të grupi “A”.