Parlamenti Evropian ka votuar të martën pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ndërsa një ditë më vonë, më 19 prill, pritet të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian dhe hyrja në fuqi e tij.
Megjithatë Kosovës, për dallim nga shtetet e tjera të rajonit, i është dashur 12 vjet nga lansimi i dialogut për liberalizimin e vizave deri në lëvizjen e lirë në zonën Schengen.
Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën nga ana e Parlamentit Evropian ka zgjatur më së gjati në historinë e procesit të liberalizimit të vizave, kjo pasi që shteteve të Ballkanit Perëndimor iu deshën 2 deri në 3 vjet.
Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë iu deshën vetëm 2 vjet nga lansimi i dialogut për liberalizimin e vizave deri në lëvizjen e lirë të qytetarëve të tyre në zonën Schengen. Ndërsa Shqipërisë e Bosnje Hercegovinë 3 vjet.
Kosova fatin e njëjtë për sa i përket liberalizimit të vizave e ndan me Ukrainën, ndonëse Kievit zyrtar iu deshën vetëm 9 vjet proces dialogimi me BE-në deri në lëvizjen e lirë të ukrainasve në Union.
Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar.
Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.
Kjo çështje ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS të udhëtimit në Evropë, përkatësisht me hyrjen e tij në fuqi.
Meqë afati për funksionalizimin e ETIAS-it është shtyrë për në vitin 2024, heqja e vizave për qytetarët e Kosovës pritet të bëhet më 1 janar të vitit të ardhshëm.
Si janë rregullat e udhëtimit?
Rregullat do të lejojë kosovarët që të udhëtojnë pa viza në BE për një periudhë 90 ditore në çdo cikël 180 ditor. Nën pozitën e Këshillit,
Sipas qëndrimit të Këshillit, përjashtimi nga kërkesa për vizë do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janari 2024.
Në njoftimin e Këshillit për liberalizimin e vizave për Kosovën thuhet se Kosova ka bërë progres tejet të rëndësishëm në të gjitha stacionet e kushteve për liberalizmin e vizave përfshirë edhe fushat e sigurisë së dokumenteve, kufijve, migrimit, rendit publik, dhe të drejtat fondamentale lidhur me lirin e lëvizjes.
Në bazë të këtyre rezultateve, Komisioni kishte propozuar heqjen e vizave për kosovarët.
Kalimi edhe i Kosovës në udhëtime pa viza nënkupton që i gjithë Ballkani do të jetë në të njëjtin regjim vizash në raport me BE-në.
Derisa të vij 1 janari i 2024-së, Komisioni do të vazhdojë të monitorojë implementimin e kërkesave të BE-së.