Në vjeshtën e vitit 1992, në kohën kur kishte nisur rezistenca paqësore e shqiptarëve dhe zinxhirët e tankseve serbe grinin tokën e Kosovës, ish-udhëheqësi fashist i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, do të njoftohej për herë të parë nga zyrtarët e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për porosinë e prerë të Shtëpisë së Bardhë mbi zhvillimet në Kosovë.
Presidenti i 41-të i SHBA-ve, George H. W. Bush, nëpërmjet një letre drejtuar Millosheviçit, më 25 dhjetor 1992, do të paralajmëronte regjimin serb se SHBA-të do të intervenonin ushtarakisht në Kosovë nëse Serbia nis luftën. Kështu thuhej në letrën që njihet si “Kercënimi i Kërshëndellave”. Pra, porosia ishte e qartë për të gjithë, veçanërisht për Millosheviçin.
“SHBA-të, në kuadër të konfliktit në Kosovë, shkaktuar nga aksionet e Serbisë, do jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe Serbi”, thuhej në letrën e presidentit Bush drejtuar Millosheviçit, i cili kishte shpallur zgjedhjet, pasuar nga paralajmërimi i dytë i Shtëpisë së Bardhë, menjëherë pas një viti, përkatësisht në shkurt të vitit 1993.
“Ne jemi të përgatitur për t’iu përgjigjur serbëve në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga aksionet e Serbisë”, deklaronte kryediplomati amerikan, Warren Christopher, saktësisht më 13 shkurt 1993 – një përforcim i porosisë së presidentit Bush dhe për më shumë, një deklaratë me peshë historike për rolin amerikan në çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Në artikulimin e “Kercënimit të Kërshëndellave” kontribuoi edhe ambasadori amerikan, Robert Gelbard, i cili shërbeu si përfaqësues special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor. Në mars të vitit 1998, në pyetjen nëse porosia e presidentit Bush vlente akoma pas rikonfigurimit të administratës amerikane, ai ishte pëgjigjur: “Politika e SHBA-ve nuk ka ndryshuar”.
Gjashtë vjet më vonë, në vitin 1999, presidenti i 42-të i SHBA-ve, Bill Clinton, do ta realizonte porosinë. Në fakt, Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albraight, në përpjekje për të arritur një qëndrim të unifikuar të administratës amerikane rreth Kosovës, shpesh do t’ia përkujtonte presidentit Clinton zotimin e presidentit Bush në dhjetor të vitit 1992.
“Koha për t’i ndaluar vrasjet është tani, para se të përhapen. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të ndërmerren veprime të menjëhershme kundër regjimit në Beograd”, deklaronte Albright më 8 mars 1998. Për shefen e diolomacisë amerikane, bombardimi i Serbisë ishte kthyer në një mision shumë personal, përtej angazhimit diplomatik në zgjidhjen e konfliktit.
Ky zotim, krahas premtimit të presidentit Clinton, dhënë delegacionit kosovar, nën drejtimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe presidentit historik, Ibrahim Rugova, në maj të vitit 1998, që SHBA-të nuk do të lejojnë që në Kosovë të përsëritet Bosnja-Hercegovina, vlerësohen të kenë peshën e dy vendimeve kapitale për angazhimin amerikan në Kosovë.
Në fakt vitet e 90-ta nuk shënuan ngritjen e një superfuqie evropiane, por rënien evropiane në aspektin ushtarak. Disproporcioni midis evropianëve u bë edhe më i dukshëm kur u qartësua se mundësia dhe vullneti i fuqive evropiane, individualisht apo kolektivisht, për të organizuar forcë goditëse në një rajon të rrethuar nga armiqësitë etnike ishin të papërfillshme.
Jashtë kontinentit evropian, në bazë të shënimeve të kritikut të madh amerikan, Robert Kagan, gjatë krizave ballkanike mes viteve 90-të e pastaj në Kosovë, kryeministri britanik, Tony Blair, ishte më i gatshëm sesa qeveria amerikane për të dërguar trupa në terren kundër Serbisë, por lufta në Kosovë në pranverën e vitit 1999 bëri pak a shumë një zbulim interesant.
Gjithçka filloi mëngjesin e 15 janarit, kur në Reçak njësitet policore dhe ushtarake serbe vranë e masakruan 45 shqiptarë etnikë. Në Uashington, këshilltarët e politikës së jashtme të presidentit Clinton nën lidershipin e sekretares Albright ishin përplasur në “Dhomën e Situatave” rreth mundësisë së ndërhyrjes së SHBA-ve dhe aleatëve evropianë të NATO-s në Kosovë.
Albright, ndonëse nuk ishte akoma në dijeni për ngjarjen e llahtarshme që kishte ndodhur në Reçak, argumentoi se SHBA-të dhe NATO duhej ta bombardonin “atë bir bushtre”, duke iu referuar Millosheviçit. Për sekretaren amerikane, bombardimi i Serbisë ishte shndërruar në mision shumë personal sepse edhe ajo kishte përjetuar një fat të njëjtë pas pushtimit nazist.
Edhe pse aleanca ushtarake kundër Millosheviçit ishte një sukses dhe përbente rastin e parë në historinë e vet 50-vjeçare që NATO ndërmerrte një veprim ushtarak në territorin evropian, veçanërisht kundër një shteti sovran, konflikti dhe lufta në Kosovë zbuloi “përçarjet” që ekzistonin në aleancën më të fuqishme ushtarake pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.
Mbisundimi amerikan në këtë luftën e Kosovës i shqetësonte evropiane për dy arsye. Nga njëra anë, kjo ishte një goditje që merrte “nderi” evropian. SHBA-të ishin furnizuesit kryesorë të municioneve. Pothuajse të gjitha municionet me saktësi të lartë të përdorura në Serbi ishin prodhuar në SHBA, kurse 99 për qind e objektivave goditëse vinin nga amerikanët.
Më shumë shqetësuse për Kagan ishte fakti që varësia evropiane nga fuqia amerikane u jepte SHBA-ve ndikim të fuqishëm, jo vetëm në mënyrën se si duhet zhvilluar lufta kundër Serbisë, por edhe mbi diplomacinë ndërkombëtare para, gjatë dhe pas luftës, shkruan ndër të tjera Kagan në librin “Pushtet dhe Parajsë: Amerika dhe Evropa në rendin e ri botëror”.
Për shembull, evropianët favorizuan një pauzë pas bombardimeve në mënyrë që Millosheviçi t’i jepte vetë fund luftës, para se NATO të shkatërronte gjithçka. Por, gjenerali amerikan dhe komandanti i forcave evropiane, Wesley Clark, kundërshtoi duke thënë: “kur ne fillojmë të përdorim forcën, kërkojmë të jemi të vendosur sa më tepër që të jetë e mundur”.
Kur NATO bombardoi Serbinë në vitin 1999, aleatët u përpoqën të merrnin autorizim nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), por dështuan sepse Rusia, rojtarja historike e Serbisë, kundërshtoi fushatën e bombardimeve. Megjithatë, ishin evropianët ata që së bashku me SHBA-të shkuan në luftë pa marrë saknksionim legjitim nga OKB-ja.
Clark shpalli se nuk mund t’i jepte Millosheviçit një paralajmërim të qartë edhe për arsyen se shumë shtete evropiane nuk do ta kërcënonin me sulme pa një mandat të OKB-së, diçka të cilën gjenerali amerikan e quante “problem ligjor evropian”. Për SHBA-të “problemet ligjore” ishin pengesa për të planëzuar e përgatitur plotësisht luftën në mënyrën e vet.
Fatmirësisht, për hir të aleancës së krijuar më 1999, gjeneralët amerikanë dhe administrata Clinton, mendonin se ia vlente të sakrifikohej për hir të unitetit. Për SHBA-të ruajtja e kohezionit dhe unitetit të aleancës nuk ishte vetëm mënyrë për t’ia dalë mbanë; ishte një ndër qëllimet kryesore të ndërhyrjes. Gjithsesi në mesin e evropianëve pati edhe liderë pro-bombardimeve.
Nuk ishte rastësi që një prej përkrahësve më të fuqishëm të luftës dhe bombardimeve të NATO-s ishte një gjerman, Joschka Fischer, i cili gjatë luftës shërbeu si ministër i Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Për Fischerin, ashtu sikurse për kancelarin gjerman, Gerhard Schroeder, sjellja barabare e serbëve ishte më urgjente se kërkesa për autorizim nga Këshilli i Sigurimit.
Robert Cooper, diplomati britanik që mbikëqyri negociatat teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të shkruante se përgjigja evropiane ndaj situatës në Kosovë u nxit nga kujtimet e holokaustit dhe torturave njerëzore që solli nacionalizmi i skajshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Këto eksperienca historike shërbyen si përligje për ndërhyrjen e armatosur në Kosovë”.
“Do të ishte ndryshe për Evropën të ndërhynte ushtarakisht në një tjetër vend, me një tjetër histori. Rendi evropian në mënyrë të veçantë është i bazuar në historinë evropiane dhe në vlerat që nxjerrin nga historia”, vazhdonte Cooper, duke veçuar faktin se për shkak se një gjenocid po ndodhte në Evropë, u dha edhe një leje të veçantë, për të shkuar në luftë.
Ndryshe, ndërhyrja humanitare dhe ushtarake e NATO-s në vitin 1999 shkaktoi një debat të madh ndërkombëtar dhe një ndarje ndërjmet fuqive të mëdha perëndimore dhe Rusisë. Megjithatë, pavarësisht rezistencës nga Serbia, Rusia, Kina e India, shqiptarët e Kosovës fituan njohjen nga të gjitha fuqitë perëndimore dhe nga një dyzinë vendesh të tjera. /Albanian Post/