Asnjë sinjal nuk ka që përsëritja e seancës konstituive në Kuvendin e Kosovës të marrë fund edhe pas gati katër muajve pas mbajtjes së zgjedhjeve. Nesër do të mbahet e radhës dhe do të jetë hera e 28-të që deputetët e zgjedhur provojnë të konstituojnë legjislaturën e nëntë.
Partia fituese po këmbëngul në kandidaten e saj për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, e cila për disa herë radhazi nuk mori votat e nevojshme. Partitë tjera s’po tërhiqen nga pozicioni i tyre me arsyetimin se ajo s’është “figurë konsensuale”, ndërsa disa prej tyre i kanë thënë Lëvizjes Vetëvendosje se nëse do të ndërronte kandidaten dhe do të propozonte disa emra që për ta janë të pranueshëm, do të mund të dilnin nga ngërçi i ngecur. Megjithatë, Vetëvendosje thotë se e ka të drejtën ekskluzive për të propozuar si parti e parë.
Dhe derisa bllokada po vazhdon, deputetët po marrin pagat e tyre për seancat pakminutëshe çdo 48 orë.
Thirrjet si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës janë shtuar që politikanët e zgjedhur të vendosin në prioritet Kosovën dhe të dalin nga pozicioni bllokues.
Këto thirrje kanë filluar të bëhen më të zëshme edhe nga vetë qytetarët.
Një grup i vogël dje u mblodh para Kuvendit për të shprehur revoltën e tyre ndaj të zgjedhurve para se të niste seanca.
Ndërsa sot për Bajram rrogat u përmenden edhe gjatë vizitës së një delegacioni të qeverisë në largim në krye me Albin Kurtin në Bashkësinë Islame për festë ku u pritën nga kryemyftiu Naim Tërnava.
Derisa kanë biseduar në prani të kamerave, Tërnava i ka thënë Kurtit” …desha t’i ftoj të gjithë deputetët e parlamentit ta prejmë nga një kurban. Ndoshta po ju shkon mbarë e mirë. Ndoshta hapen rrugët. Temë e kam pasur natalitetin dhe kam kërkuar kush i ka nga 4-5 fëmijë t’i bëhet një banesë se po zbehet Kosova. Ka rënë shumë nataliteti”, tha Tërnava.
Ndaj kësaj ka reaguar Kurti duke e bërë një “distancim” duke thënë se deputetëve “rrogat po ju ecin…”
Dikush nga pala e Bashkësisë Islame ka reaguar duke thënë “najfarë mësyshi e keni…”
Të shtunën prapë do të mblidhen deputetët.
Dje pas dështimit të përpjekjes së 27-të, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka njoftuar se seanca e radhës do të mbahet të shtunën.
“Takohemi përsëri më 7 qershor në ora 11:00”, tha ai.