RrGGK thotë se ky sulm nuk është vetëm i papranueshëm për nga përmbajtja, me gjuhë që degradon, etiketon dhe nënçmon e ndjellë urrejtje, por vjen në një atmosferë tashmë të tensionuar në Transmetuesin Publik, ku është vërejtur një rritje e sulmeve dhe presionit ndaj gazetareve, sidomos ndaj atyre që nuk heshtin përballë pushtetit.
Reagimi:
Blerta Foniqi-Kabashi është sulmuar jo për shkak të mungesës së profesionalizmit, por pikërisht pse ka ushtruar të drejtën dhe detyrën e saj si gazetare: të pyesë, të sfidojë dhe të kërkojë llogari në emër të interesit publik. Dhe kjo, për fat të keq, e bën atë një cak më të lehtë për sulm, si grua dhe si gazetare.
Deputetja Pacolli, e cila vetëm pak ditë më parë e ka cituar një hulumtimi të një OJQ-je vendore, përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale, që e nxjerrë ndër gratë më të sulmuara në jetën publike, ka përdorur një gjuhë ofenduese, diskredituese kundrejt gazetares Foniqi-Kabashi, duke e akuzuar për “gazetari me porosi”, “mision të dirigjuar nga jashtë” dhe duke përhapur spekulime për lidhje nepotike, pa asnjë fakt, në një mënyrë që synon ta frikësojë dhe diskreditojë atë profesionalisht dhe personalisht.
Gjuha e përdorur nga deputetja Pacolli është veçanërisht e rrezikshme sepse ajo është lëshuar në nivel personal, duke shkelur çdo standard të komunikimit publik dhe duke kontribuar në një atmosferë linçimi ndaj një gruaje gazetare.
Ky është një shembull klasik i gjuhës së urrejtjes dhe linçimit publik që e vë në rrezik sigurinë e gazetareve dhe përbën precedent të rrezikshëm për lirinë e shprehjes dhe të medieve në vendin tonë.
Ne kërkojmë nga deputetja Pacolli që të ndalojë menjëherë gjuhën denigruese ndaj grave gazetare dhe t’i përmbahet standardeve të etikës publike e politike. Gjithashtu i bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës dhe partive politike që të reagojnë dhe të distancohen nga kjo mënyrë e komunikimit që minon rolin e gruas në media dhe në shoqëri.
RrGGK do të qëndrojë përherë në mbrojtje të grave gazetare dhe të drejtës së tyre për të punuar të lira nga frika, sulmi dhe frikësimi. Një shoqëri demokratike fillon me respektin ndaj grave që flasin me zë të lirë.