Rritja e paralajmëruar e çmimit të energjisë elektrike ka krijuar shqetësim te qytetarët e Kosovës.
Një rritje e tillë shihet si e papërballueshme nga ekonomitë familjare të Kosovës të cilat janë goditur edhe paraprakisht disa herë nga rritjet e çmimit të rrymës elektrike, por jo vetëm. Këto rritje në tregun e Kosovës kanë krijuar inflacion ekonomik dhe uljen e fuqisë blerëse të qytetarëve të vendit.
Shqetësim i qytetarëve është reflektuar edhe me një iniciativë të nisur nga disa qytetarë në rrjetin social Facebook, aty ku është hapur grupi “”Jo Rritjes së Çmimit të Energjisë Elektrike në Kosovë! #AsnjeCentMeShume” ku janë mbledhur mijëra qytetarë me qëllimin për të kundërshtuar vendimin e paralajmëruar nga ZRrE.
Në lidhje me këtë çështje ditë më parë, ZRrE-ja ka publikuar Raportet Konsultative që lidhen me të hyrat maksimale të lejuara për tre operatorët e energjisë-elektrike.
Në njoftimin e ZRrE-së thuhej se bazuar në rezultatet e raporteve, pritet që rritja mesatare e tarifave për konsumatorë të jetë rreth 15 për qind.
“Raportet konsultative paraqesin propozimet fillestare të ZRRE-së për të hyrat maksimale të lejuara për këto ndërmarrje. Ky publikim ofron mundësinë që të gjitha palët e interesuara të shqyrtojnë propozimet dhe të japin komente dhe sugjerime që mund të ndikojnë në përcaktimin e vendimeve përfundimtare mbi tarifat”, thotë ZRRE.
Në njoftim thuhet se ZRRE-ja e konsideron konsultimin publik si një element kyç në zhvillimin e politikave të qëndrueshme dhe transparente në fushën rregullative.
E shtrenjtimi i energjisë elektrike për 15% nga muaji prill nuk është i “mirëpritur” as nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që e njohin mirë këtë fushë.
Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës në një deklarim për lajmi.net tha se përveç rritjes së çmimit për qytetarët, ZRrE sipas saj mori një tjetër vendim të pafavorshëm për bizneset vendore me liberalizimin e tregut energjetik.
“Zyra e Rregullatorit të Energjisë është në proces të rritjes së çmimit të energjisë elektrike për të gjithë shpenzuesit: ekonomitë familjare dhe të gjitha bizneset. Sipas ZRRE-së, nga 1 Prilli i këtij viti do të paguajmë energjinë elektrike 15% më shtrenjtë.Në të njëjtën kohë, ZRRE-ja po i detyron mbi 1000 kompani të kalojnë në tregun e hapur: të gjitha ato që kanë mbi 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro. Sipas këtij vendimi, nga 1 qershori i këtij viti, KESCO nuk ka më obligim t’i furnizojë këto kompani me energji elektrike, por ato duhet ta blejnë atë në tregun e hapur. Praktikisht, kjo do të thotë se këto 1000 kompani nuk mund ta blejnë më energjinë që prodhon KEK-u, por duhet ta sigurojnë atë nga importi, me çmim të paktën dyfish më të shtrenjtë. Si pasojë, një pjesë e tyre mund të falimentojnë, disa do të detyrohen të largojnë punëtorë për të ulur shpenzimet, ndërsa të gjitha do të jenë të detyruara të rrisin çmimet për të mbijetuar. Kjo do t’i bëjë ato më pak konkurruese në tregun vendor dhe ndërkombëtar, duke çuar në rritjen e importit, i cili tashmë është tepër i lartë”, tha fillimisht Bajrami.
Bajrami tha se kjo rritje do të ndikojë drejtpërdrejt në zvogëlimin e fuqisë blerëse nga ana e konsumatorëve, duke paralajmëruar se zbatimi i këtyre vendimeve do të nxisë një valë të re të rritjes së çmimeve.
“Ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë drejtpërdrejt në zvogëlimin e fuqisë blerëse të konsumatorëve, jo vetëm për shkak të rritjes së faturave të energjisë me 15%, por edhe sepse kjo do të sjellë rritje të kostove për të gjitha bizneset. Kjo do të thotë kosto shtesë për secilin produkt dhe shërbim që ato ofrojnë, duke rezultuar në çmime më të larta për konsumatorët.
Këto vendime do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe qytetarët. Nëse zbatohen siç janë, ato do të sjellin një valë të re rritjeje çmimesh, duke e bërë jetën gjithnjë e më të papërballueshme për bizneset dhe qytetarët”, shtoi ajo.
Sipas Hykmete Bajramit, Kosova është në gjendje të rëndë ekonomike dhe se këto vendime duhet të kundërshtohen me çdo mjet, duke fajësuar Qeverinë aktuale për dështimin e menaxhimit të situatës me energjinë elektrike.
“Rritja e çmimit të energjisë për shpenzuesit komercialë (bizneset) është drejtpërdrejt kosto shtesë për të gjitha produktet dhe shërbimet e tyre. Zbatimi i vendimit të ZRRE-së do të ketë pasoja të rënda për ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve. Jemi në një situatë të rëndë ekonomike, andaj këto vendime duhet të kundërshtohen me çdo mjet. Kjo qeveri, e cila gjatë katër viteve ka dështuar të ndërtojë qoftë edhe një MWh kapacitet gjenerues të energjisë, duhet të gjejë mënyrën për të ndaluar rritjen e mëtejshme të çmimit të energjisë, sepse gjatë mandatit të tyre veçse kemi pasur dyfishim të faturave të energjisë”, përfundoi Hykmete Bajrami për lajmi.net.
Kurse deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala deklaroi se partia e tij do të kundërshtojë një vendim të tillë me hapa ligjor dhe juridik.
“Ne si parti politike kemi thënë qëndrimin zyrtar se institucionet e shtetit, ZRrE dhe Qeveria duhet të reflektojë që kjo të mos ndodh. Ne kemi paralajmëruar se do ta kundërshtojmë këtë vendim.
Do të shohim të gjithë hapat juridik dhe ligjor që të kundërshtojmë këtë iniciativë”, tha fillimisht Ferat Shala.
Në vazhdim Shala thotë se kjo kjo rritje e paralajmëruar e rrymës elektrike do të reflektojë në tregun vendor duke shkaktuar ngritjen e çmimeve të produkteve bazë ushqimore.
“Jam i bindur se ngritja e çmimit të energjisë do të reflektojë edhe në linjat e furnizimit, por në theks të veçantë në linjat e prodhimit vendor dhe shkalla e inflacionit do të jetë jashtëzakonisht e lartë”, shtoi ai.
I pyetur se a do të mbështes PDK thirrjet e qytetarëve për protesta, Shala theksoi se një gjë e tillë diskutohet brenda partisë dhe se çdo gjë do të bëhet publike me qytetarët.
Kurse njohësi i ekonomisë, Jakup Bellaqa për lajmi.net tregoi pasojat e mundshme negative të këtij vendimi.
Sipas Bellaqës një vendim i tillë do shkaktonte një zingjir pasojash ekonomike duke rënduar shportën e qytetarëve dhe duke dobësuar fuqinë blerëse të konsumatorëve, rrjedhimisht sipas tij kjo mund të përkthehet në rritjen e papunësisë në vend.
“Aplikimi i rritjes së çmimit të energjisë prej 15% nga muaji prill, ndikon negativisht në proceset ekonomike dhe shkakton pasoja negative në zingjirin furnizues ku apriori rriten të gjitha çmimet jetësore duke rënduar shportën e konsumatorit dhe ekonominë familjare duke dobësuar fuqinë blerëse të qytetarëve. Poashtu te bizneset do ketë rritje të kostos së operimit të produkteve dhe shërbimeve duke krijon destabilitet financiar. Kjo poashtu mund të krijojë papunësi e të zvogëlojë aktivitetin ekonomik që ndikon si në parametrat ekonomike hyrëse-dalëse apo ne inputet dhe outputet e bizneseve. Në këtë rast ZRrE duhet të marrë masa adekuate që çmimet e energjisë të jenë sipas rajonit dhe sipas gjendjes ekonomike vendore”, tha Bellaqa për lajmi.net.
Kujtojmë se kjo nuk do ishte hera e parë që do rritej çmimi i energjisë elektrike. Në vitet e fundit çmimi i rrymës elektrike është rritur me 130%, duke shkaktuar rritjen zingjir të produkteve ushqimore dhe duke rënduar barrën e qytetarëve për shpenzimet e shportës familjare.
E kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike, Ymer Zejnullahu disa netë më parë bëri të ditur se nëse një qytetar ka paguar më parë faturën prej 50 euro, nga prilli do të paguajë 58 euro.
Por jo vetëm kaq, pasi Zejnullahu tha se ose do të duhet të shtrenjtohet rryma- ose duhet të nisin reduktimet e rrymës e ku qytetarët do të mbeteshin në terr.
Kurse së fundi Zejnullahu pati edhe një dozë “cinizmi” ndaj qytetarëve në lidhje me këtë shtrenjtim.
Duke vënë në pah se nuk kanë alternative tjetër, përveçse t’i pranojnë tarifat e reja nga 1 prilli ai u tha qytetarëve se mund të negociojnë me furnizues të tjerë privat, nëse mund të gjejnë çmime më të favorshme.
“Kjo është kosto e sistemit. Ne e kemi edhe një mundësi tjetër: qytetarët, i kishim lutë të gjithë ata qytetarë që kanë.. si me thënë… ky është detyrim i ZRRE-së me e përcaktu këtë çmim për qytetarët për shtëpiakët dhe bizneset e vogla. Mirëpo 100% e qytetarëve kanë të drejtë me shku me negociu me cilindo investitor privat ose furnizues i cili është i licencuar nga ZRRE-ja çmime, nëse konsiderojnë që gjejnë më të favorshme sesa këto që janë të përcaktuara nga ana e ZRRE-së. Prandaj, i lusim qytetarët që të kenë”, tha ai.
Ai shkoi edhe më tej duke thënë se “qytetarët kanë të drejtë të marrin fatin e tyre në dorë”.
“Edhe qytetarët, edhe bizneset, sipas legjislacionit, kanë të drejtë me negociu çmime me cilindo prej furnizuesve në regjion apo edhe në Kosovë, e mos me i marrë parasysh çmimet e përcaktuara nga ana e ZRRE-së, në qoftë se konsiderojnë që këto çmime janë shumë të pafavorshme për ta. Si për çdo produkt tjetër, edhe për energji elektrike, kanë të drejtë ta marrin fatin e tyre në dorë dhe të negociojnë kontrata nëse konsiderojnë që janë më të favorshme për ta”, tha ai në t7.
“Ne i kemi 18 furnizues të licencuar. Secili prej tyre ka të drejtë dhe mundësi t’i furnizojë këta qytetarë, mirëpo meqenëse ata, shumica e konsumatorëve në Kosovë, çmimi që përcaktohet nga Rregullatori është shumë më i favorshëm, asnjë prej qytetarëve tanë nuk del në treg. Ju po e shikoni tani që edhe bizneset dëshirojnë, edhe pse kemi pasë paralajmërim për rritje të tarifave të energjisë elektrike, gjithë kjo zhurmë që po bëhet është të rrinë me këto çmime, të cilat i përcakton Rregullatori”.
Madje ai këtë shtrenjtim e ka parë si benefit.
Sipas tij benefiti është se “do të kemi 24 orë furnizim me energji elektrike”.
E në lidhje me këtë situatë të krijuar nga Qeveria e Kosovës kanë qëndruar totalisht të heshtur. Madje kohë më parë në një përgjgije të dhënë për lajmi.net nga Ministria e Ekonomisë ishte thënë se “Rregullatori i Energjisë (ZRRE) është institucion i pavarur i cili ushtron kompetencat për rregullim të sektorit të energjisë dhe bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të energjisë elektrike.