Rritje prej 50% të pensioneve të veteranëve të UÇK-së – dhe që familjet e dëshmorëve nuk do të kenë nevojë të zgjedhin mes pensionit të veteranit dhe atë të moshës: por, t’i marrin të dyja.
Kështu u zotua para qindra veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në një tubim zgjedhor.
Hamza para se të shpalojë zotimin e tij para kategorive të luftës, iu drejtua atyre me vlerësimin se “ju nuk jeni thjesht luftëtar të lirisë, por edhe nderi i kombit”.
“Ky është premtimi im për ju: një Kosovë ku shteti është shtyllë e drejtësisë, zhvillimit eknomik dhe e dinjitetit. Prandaj ne angazhohemi për ju dhe familjet tuaja dhe gjithë qytetarët. Përkrahja për familjet e dëshmorve, invalidëve, dhe veteranëve: do të rrihet 50% në muajt e parë të mandatit të PDK-së”, tha Bedri Hamza.
“Familjarëve të dëshmorëve nuk do të detyrohen të zgjedhin mes pensionit të moshës dhe veteranit – do t’i merrain të dyjat. Veteranët nuk do të kenë kufizime, do të kenë mundësi të marrin të ardhura nga shteti”, tha ai.
Krahas zotimeve për veteranët, Hamza ka premtuar rritje prej 50% të pagave për sektorin publik: ku veçoi ushtarët dhe policët “shumica prej të cilëve janë pasardhës tuaj”.
Në programin zgjedhor të vet, Hamza e ka të elaboruar si zotim rritjen e përfitimeve për të gjitha kategoritë e ludtës, përfshirë dëshmorët, veteranët dhe invalidët e luftës.
Po ashtu Hamza e ka të paraparë që prindërit e familjeve të dëshmorëve nuk do t’u duhet të zgjedhin ndërmjet pensionit të moshës dhe pensionit të famiëjes së dëshmorëve “por, do t’i përfitojnë të dy llojet e pensioneve”.
“Do t’i heqim kufizimet për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfitues të pensionit të veteranit, që të jenë aktivë në tregun e punës”, thuhet në programin e tij.
Çka tha Hamza?
“Kosova nuk do të ekzistonte kështu pa heroizmin dhe trimërinë tuja”, u tha Hamza në adresimin e tij veteranëve.
“Arsyeja e parë pse jemi këtu: mirënjohja e thellë për ju – kapitullin e lavdisë që e keni shkruar në historinë. Kosova përgjithmonë do të jetë mirënjohëse ndaj jush. Besojmë fuqishëm se shumë shpejtë festave tona do t’i shtohet hijeshia me Thaçin, Veselin, Krasniqin e Rexhën. Arsyeja e dytë: angazhimi për të ardhmen – Askush dhe asgë nuk do ta largojë Kosova nga rruga që ju e nisët”, tha Hamza.