Ekonomia e dytë më e madhe në botë u rrit me një ritëm vjetor prej 6.3% në tremujorin prill-qershor, shumë më i ngadalshëm nga mbi 7% rritje që kishin parashikuar analistët duke pasur parasysh ritmin anemik të aktivitetit ekonomik një vit më parë.
Papunësia e të rinjve të moshës 16 deri në 24 vjeç u rrit në një rekord prej 21.3% në qershor, nga 20.8% një muaj më parë.
Investimet në zhvillimin e pronave të patundshme, një nxitës i rëndësishëm i kërkesës industriale dhe konsumatore, u ulën me 7.9% në gjysmën e parë të vitit në krahasim me një vit më parë në një shenjë shqetësuese të dobësisë së vazhdueshme në një industri që u ngadalësua edhe përpara pandemisë ndërsa qeveria ndërhyri për të frenuar huamarrjet e tepërta.
Zyrtarët kanë pranuar se ekonomia po përballet me vështirësi të shumta, por thanë se prisnin që rritja të arrijë ende objektivin zyrtar prej rreth 5% të Partisë Komuniste në pushtet për këtë vit.
Qeveria do të rregullojë politikat për të stabilizuar rritjen, tha zëdhënësi i Byrosë Kombëtare të Statistikave Fu Linghui në një konferencë shtypi të hënën.
Sipas të dhënave të qeverisë të publikuara të hënën rritja tremujore ishte 0.8%, në përputhje me parashikimiet, por në rënie të ndjeshme nga 2.2% në periudhën janar-qershor.
Analistët kanë qenë shumë më pak optimistë sesa qeveria kineze për perspektivën e vitit, duke pasur parasysh dobësimin e kërkesës për eksportet kineze në ekonomitë e tjera të mëdha.
Rritja prej 6.3% e prodhimit të brendshëm bruto të Kinës nga prilli në qershor tejkaloi një rritje prej 4.5% në tremujorin e mëparshëm.
Rritja ende e fuqishme është kryesisht për shkak të rritjes së ekonomisë me vetëm 0.4% një vit më parë në periudhën prill-qershor të vitit 2022, mes bllokimeve të rrepta në Shangai dhe qytete të tjera gjatë shpërthimeve të COVID-19.
Në fillim të këtij viti, rritja u shtua pasi njerëzit u dyndën në qendrat tregtare dhe restorante pas gati tre vjet kufizime që u u hoqën në fund të vitit 2022.
Objektivi i rritjes së qeverisë prej “rreth 5%” u pa si një objektiv konservator. Ajo mund të arrihet vetëm nëse ekonomia vazhdon të mbajë nivelit aktual të rritjes.
Të dhënat e publikuara më herët treguan se eksportet ranë me 12.4% në qershor nga një vit më parë pasi kërkesa globale ra pasi bankat qendrore në SHBA dhe Evropë ngritën normat e interesit për të frenuar inflacionin.
Shitjet me pakicë, një tregues i kërkesës së konsumatorit, në qershor u rritën 3.1% nga e njëjta periudhë e vitit 2022. Kjo shihet si një pikë e fortë, por jo mjaft e fortë, thanë analistët.
Prodhimi industrial, i cili mat aktivitetin në sektorët e prodhimit, minierave dhe shërbimeve komunale, tejkaloi pritshmëritë e analistëve, duke u rritur me 4.4% në qershor krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Politikëbërësit e Kinës nuk duhet të luftojnë inflacionin, por mund të përfundojnë duke u përballur me të kundërtën e tij, deflacionin ose rënien e çmimeve për shkak të kërkesës së dobët. Në muajt e fundit, autoritetet janë përpjekur të nxisin huadhënien dhe shpenzimet./VOA/