8.7 C
New York
Monday, November 25, 2024

Buy now

Rritja e pensioneve vlerësohet e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat bazike

- Advertisement -

Rritja e pensioneve për 20 për qind që u paralajmërua gjatë javës, miratimin zyrtar e mori nga Qeveria e Kosovës një ditë më parë.

E, në po në të njëjtën ditë, dorëheqje dha përfaqësuesi i pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi.

Duke theksuar se kategoria e pensionistëve është nënçmuar ndër vite, Gashi thotë se ky nivel i rritjes ishte përbuzje, e njëheri edhe e pamjaftueshme.

“Kjo rritje mund të ndodhë vetëm në ndonjë Afrikë, Azi…as atje besa s’besoj që bëhet kështu. Absolutisht, nuk do matematikë kjo. Kjo nuk është rritje dhe është bërë kundërligjshëm sepse ligji mbi skemat pensionale përcakton rritjen, këta nuk e kanë respektuar ligjin. Së bashku me grupe të interesit, këta janë tubu para fushate elektorale duke besuar se kjo kategori është aq naive sa ta identifikojnë si të tillë”, ka thënë Nijazi Gashi, ish-kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës.

E për njohësit e ekonomisë, kjo rritje e pensioneve as nuk i afrohet kushteve të jetesës bazike.

“Revoltën e kanë me të drejtë në mungesë të një komunikimi. Rekomandimet e tyre s’janë marrë parasysh. Inflacioni ka lënë gjurmët e tij dhe ndikimi në çmime është i dukshëm, edhe në produktet farmaceutike e cila po e godet qytetarin e Kosovës e në veçanti pensionistët. S’ka mallkim më të madh për ta se sa të kenë edhe pleqërinë edhe varfërinë njëheri. Bazuar edhe në ligj, qeveria është e obliguar çdo vit të kalkulojë bazuar në ecurinë ekonomike, rritjen e pagave dhe atë të pensioneve”, ka thënë Safet Gërxhaliu, Njohës i çështjeve të ekonomisë.

Sipas Gërxhaliut, jetesa bazike sot ka një çmim të caktuar, tejet më të lartë sesa pensionet aktuale.

“Pensioni 120 eurosh është tepër i pamjaftueshëm. Po flitet për page minimale e mesatare, por asnjëherë nuk po kalkulohet kostoja e jetesës. Në këtë drejtim duhet të kthehet dinjiteti i pensionistit, të ketë më tepër trajtim dhe respekt ndaj tyre sepse kanë qenë themeltarët e asaj çka gëzojmë sot. Bazuar në rrethanat aktuale, çdo pension nën 300 euro është mallkim e dënim”, ka thënë Safet Gërxhaliu, Njohës i çështjeve të ekonomisë.

Me vendimin e fundit, mbi 300.000 pensionistë do të përfitojnë nga rritja.

Pensioni bazik i moshës nga 100 euro është rritur në 120 euro. Ndërkaq, pensioni kontributpagues për kategorinë e parë në 218 euro, për të dytën 237 euro, për të tretën 256 euro dhe për kategorinë e katërt 318 euro.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit