Kosova është duke u përballur me një krizë energjetike e cila u nis me reduktime të energjisë dhe po vazhdon tashmë me përpjekjet për shtrenjtimin e çmimit të rrymës. Kjo ka ngjallur reagime të shumta, pakënaqësi në mesin e qytetarëve dhe paralajmërime për protesta nga parti opozitare.
Duke parë një situatë të tillë, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka publikuar një reagim/analizë të gjatë në profilin e tij në të cilin jep disa udhëzime për dalje nga kjo gjendje dhe për gjetjen e një zgjidhje afatgjate.
Hoti thotë se Qeveria Kurti ka bërë një gabim strategjik gjeopolitik kur ka vendosur që të refuzojë projektin e gazsjellësit të financuar nga MCC-ja, e që sipas tij do të ishte një zgjidhje e duhur që do të rezultonte me një pavarësim energjetik.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK’së, jep edhe dy zgjidhje afatshkurta për krizën dhe liston më tej propozimet e tij për një zgjidhje afatgjate për punën e energjisë në Kosovë.
Hoti thotë se duhet bërë subvencionimi i rrymës derisa shton se nuk duhet të ketë shtrenjtim të çmimit të energjisë nën presionin aktual.
Postimi i plotë:
ENERGJIA ËSHTË RESURS EKONOMIK DHE GJEOPOLITIK
Sot energjia nuk është vetëm resurs ekonomik, por edhe gjeopolitik. Kjo gjë duhet kuptuar qartë për të bërë zgjidhjen e duhur për furnizim stabil dhe pavarësi energjetike. Qasja gjeopolitike në fushën energjetike e qeverisë së kaluar ka qenë ndër arsyet kryesore për miratimin e projektit të gazit me MCC, të cilin Maqedonia e Veriut e nënshkroi para një muaji. Projekti i MCC-së përfshinte termocentralin me gaz, bateritë akumuluese dhe investimet në rrjet energjetik për të ulur humbjet. Refuzimi i këtij projekti nga qeveria aktuale ka qenë gabim strategjik i Kosovës, me kosto afatgjatë ekonomike dhe politike.
Është fakt se kriza energjetike në Kosovë është e imponuar nga jashtë. Por, sa e rëndë do të jetë kjo krizë për qytetarët, përcaktohet në masë të madhe nga veprimet e qeverisë. Kriza energjetike u paralajmëruar në fund të verës së vitit të kaluar. Disa shtete reaguan menjëherë me blerje të energjisë, planifikim të buxhetit dhe përgatitje të qytetarëve dhe bizneseve për krizën. Disa shtete e neglizhuan këtë paralajmërim. Kosova hynë më parë në mesin e shteteve që e neglizhuan paralajmërimin për krizë pasi nuk u ndërmor asnjë veprim që propozohej nga ekspertët e fushës.
- ÇFARË TË BËJMË NË AFAT TË SHKURTËR?
Çmimi i energjisë nuk duhet të rritet nën presione momentale të tregut. Çmimi i energjisë duhet të rritet vetëm si rezultat i një strategjie afatgjate të investimeve në energji për të reflektuar kostot e investimeve, të cilat duhet të jenë të arsyetuara në detaje.
Në afat të shkurtër, janë dy masa që duhet ndërmarrë.
E para, duhet të bëhet subvencionimi i energjisë. Kjo është forma e vetme për të parandaluar rritjen e çmimit për konsumatorë dhe biznese. Megjithëse në mënyrë indirekte subvencionin e paguan taksapaguesi, subvencionimi i tillë i energjisë nuk shkakton çrregullime të tregut që vijnë nga rritja e kostos së jetës për qytetarë dhe kostos së prodhimit për biznese. Rritja e çmimit të energjisë për konsumatorë i prek disproporcionalisht familjet me të ardhura të ulëta. Rritja e çmimit të energjisë vetëm për biznese është mashtrim, sepse kjo i bartet konsumatorit përmes çmimeve më të larta të mallrave që rezultojnë nga rritja e kostove të prodhimit dhe, për më tepër, kjo e përkeqëson aftësinë konkurruese të bizneseve tona në tregun vendas dhe ndërkombëtar.
E dyta, në konsultime me ekspertët e fushës dhe me disa ndryshime eventuale, duhet konsideruar kthimi i sistemit të mëparshëm të tarifave të energjisë për të nxitur kursimin e energjisë. Raporti i fundit i ZRRE-së tregon qartë se rritja e konsumit të energjisë në tri vitet e fundit në masë të madhe i atribuohet ndryshimit të strukturë së tarifave të energjisë në vitin 2017. Me tarifat ekzistuese duket se nuk ka nxitje të mjaftueshme për kursim të energjisë.
- CILA ËSHTË ZGJIDHJA AFATGJATË?
Në afat të gjatë, duhet detyrimisht të rriten kapacitetet dhe të sigurohet pavarësia energjetike. Kjo bëhet përmes katër masave, që duhet të shkojnë paralel me njëra-tjetrën.
E para, përmes projektit të MCC-së që përfshinë: (1) termocentralin me gaz prej 200 MWh, (2) bateritë për akumulim të energjisë dhe (3) investimin në rrjetin e shpërndarjes për të ulur humbjet. Këto investime mund të bëhet relativisht shpejt, veçanërisht bateritë dhe investimet në rrjet. Me qasjen refuzuese të çdo projekti të qeverive paraprake, u refuzua projekti i gazit me MCC-në dhe financuesit e tjerë duke u arsyetuar se duhet rillogaritur kostot dhe përfitimet edhe pse studimi i MCC-së ishte përgatitur për tri vite me radhë nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë.
E dyta, investimi në rivitalizim të termocentraleve Kosova A dhe Kosova B përmes teknologjisë moderne që përmbush në masë të pranueshme kriteret ambientaliste. Rivitalizimi i termocentralit Kosova A duhet të bëhet derisa të modernizohet Kosova B për të prodhuar energji të mjaftueshme dhe të qëndrueshme. Investimi në këto termocentrale është shumë i shtrenjtë pasi duhet plotësuar kriteret ambientaliste, si dhe duhet paraparë koston në formë të taksës ambientaliste për emetimet e CO2. Qeveria ekzistuese ka qenë shumë refuzuese edhe ndaj projektit Kosova C, i cili do të ishte alternativë më e përshtatshme sesa rivitalizimi i termocentraleve ekzistuese.
E treta, investimet në kapacitete energjetike duhet të bëhen në kontekst të qasjes komplementare në furnizim energjetik me Shqipërinë. Bazuar në një marrëveshje ndërshtetërore, këtu përfshihet ndërtimi i një hidrocentrali nga Kosova në territorin e Shqipërisë dhe vënia në dispozicion e termocentraleve me thëngjill për nevoja të Shqipërisë.
E katërta, duhet zgjeruar shumë më tepër programet ekzistuese të masave për kursim të energjisë në amvisëri, të cilat financiarisht mbështetet me disa linja kreditore që janë miratuar në qeveritë e kaluara. Duhet investuar më shumë, por me kujdes ndaj ruajtjes së ambientit, në burimet e ripërtërishme energjetike. Të dyja këto ndihmojnë vetëm marxhinalisht në furnizimin stabil me energji, por mundësojnë përmbushjen e kritereve të vendosura nga BE-ja.