Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRrE), gjatë ditës së premte ka marrë vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 16 për qind.
“Rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është rreth 16%”, tha ZRrE-ja në njoftimin për media.
Por, sipas njohësit të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, rritja e çmimit të energjisë elektrike ka efekte zinxhirore, duke akuzuar se kjo i shërben mafisë energjetike në Ballkan.
“Në rend të parë duhet të kuptohet e vërteta që brenga më e madhe duhet të jetë ajo që të gjithë kanë folur për rritje të çmimit të energjisë elektrike, por askush nuk ka folur për prodhimin e energjisë elektrike dhe ky është besoj ndryshimi më i madh. Në rend të dytë kjo rritje e çmimit të energjisë elektrike dëshmon edhe njëherë fitoren e mafisë Ballkanike në Evropë e në veçanti në Ballkan dhe në Kosovë. Do të thotë sot me këtë çmim është definitivisht një goditje e cila do ta prek edhe qytetarin dhe ekonominë dhe në veçanti sektorin privat prodhues dhe mbi të gjitha mbi divizonin politik ndodhi një rritje në kohën kur Kosova është pa institucion apo Qeveri në detyrë dhe pa parlament”, ka thënë ai në një prononcim për Periskopin
Ish-drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, ka treguar edhe për efektet në ekonomi dhe në shportën e qytetarit.
“Do të jetë një burim i ri i inflacionit në Kosovë. Një inflacion i cili do të ndikojë në rritjen e çmimeve dhe të produkteve tjera se do ta degjenerojë një formë të indeksit zinxhiror. Dhe me ketë drejtim nga rritja e çmimit të energjisë elektrike në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ketë ndikim dhe rritje të çmimit të produkteve tjera. Por të kemi parasysh që në Kosovë kemi pasur zgjedhje dhe kemi pasur premtime elektorale për rritje të pagave, nuk kemi pasur në realitet rritje të pagave do ta vështërsojë edhe më tepër për standartin e jetesës së qytetarëve. Nuk duhet të pranohet një realitet që të gjithë kanë në Kosovë. Sepse, Kosova është shndërruar në shtet të varfër dhe sot nga jeta e një grupi të njerëzve të pasur po mendohet që të gjithë në Kosovë janë të pasur’, ka potencuar ai.
Gërxhaliu ka kritikuar edhe institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare për mos matjen e saktë të varfërisë në Kosovës. Ai ka shtuar se ky shtrenjtim do të ketë impakt negativë.
“Por, e vërteta është që situata është shumë më shqetësuese sa që mendohet dhe qëllimisht as institucionet vendore as Banka Botërore as Fondi Monetar asnjëherë nuk dalë me indikator kyç për matjen e nivelit të jetës së Kosovës sa është shkalla e varfërisë eksterme. Prandaj, vërtetë do të ketë impakt negativ”, tha Gërxhaliu.
Ndryshe, sot një numër i madh i qytetarëve kanë protestuar kundër shtrenjtimit të rrymës, madje kanë paralajmëruar edhe protesta tjera.