Nga një takim i ngushtë me pak pjesëmarrës në fillim të javës, drejtuesit e LDK-së kanë vendosur që të hënën të thërrasin një mbledhje të gjerë dhe formale të Kryesisë, ku pritet të marrin pjesë rreth 40 anëtarë.
Në qendër të debatit është qëndrimi i kryetarit Lumir Abdixhiku, i cili pas zgjedhjeve ka deklaruar se është i gatshëm të largohet nga posti, por vetëm nëse këtë e vendos Kuvendi i partisë. Kjo formulë, që ai e ka cilësuar si ofertë dorëheqjeje, ka hapur një përçarje të thellë brenda LDK-së.
Kundërshtimi më i ashpër ka ardhur nga deputeti i zgjedhur, ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka vënë në dyshim legjitimitetin e një procesi të tillë, duke insistuar se standardi i vendosur në të kaluarën kërkon largim të menjëhershëm dhe pa kushte pas humbjeve të rënda elektorale. Sipas tij, çdo zvarritje e procesit vetëm sa e relativizon përgjegjësinë politike.
“Standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021. Ky standard është përqafuar dhe promovuar me këmbëngulje nga vetë z. Abdixhiku. Prandaj, çdo përpjekje për ta shmangur sot këtë standard është në kundërshtim të hapur me parimet që vetë lidershipi aktual i ka shpallur si vlera udhëheqëse.Pas rezultatit tejet të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, askush nuk mund ta mohojë se LDK-së i nevojitet lidership i ri dhe, më pas, riorganizim në të gjitha nivelet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. Besimi i qytetarëve në LDK është dëmtuar dhe ai nuk mund të rikthehet pa një akt të qartë përgjegjësie dhe pa një proces të sinqertë reformimi.”, tha ndër të tjera në reagimin e tij ai.
Hoti ka paralajmëruar se, në mungesë të reflektimit, do të largohet edhe vetë nga kryesia.
Tensionet janë thelluar më tej pas dorëheqjes së parevokueshme të Hykmete Bajramit nga udhëheqja e partisë, një veprim që u interpretua si sinjal i humbjes së besimit ndaj lidershipit aktual.
“Lidhja Demokratike e Kosovës si në fitore, ashtu edhe në humbje, ka ndërtuar dhe zbatuar standarde. Dje në mbledhjen e LDK-së kam kërkuar dorëheqjen e parevokushme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme. Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite.”, tha Bajrami në reagimin e saj ndër të tjera.
Në anën tjetër, Abdixhiku ka hedhur poshtë kritikat, duke theksuar se përgjegjësia për vendime të tilla i takon organeve më të larta të partisë dhe jo presioneve individuale. Ai ka paralajmëruar se gara për kryetar duhet të jetë e hapur dhe se Kuvendi i LDK-së është instanca që vendos përfundimisht.
Ndërkohë, zëra të tjerë brenda partisë kanë dalë në mbrojtje të kryetarit aktual, duke kërkuar që procesi të zhvillohet përmes mekanizmave statutare dhe pa përplasje publike.
Kriza aktuale u ndez pas rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit, i cili nxori në pah rënien e ndjeshme të mbështetjes për LDK-në dhe hapi debatin për përgjegjësi politike dhe reforma të brendshme. Mbledhja e së hënës pritet të tregojë nëse partia do të zgjedhë rrugën e një rifillimi të shpejtë apo të përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës.






