Eksporti në muajin mars ishte 81.7 milionë euro, një rënie prej 7.7 pikë përqindje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Në anën tjetër, importi ishte 508.5 milionë euro, një rritje prej 3 pikë përqindje.
Tregtia me BE-në
Sipas të dhënave zyrtare, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në vlerën prej 28 milionë eurove, me një rritje prej 11 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Ndërkohë, importet shënuan vlerën e rreth 228.1 milionë eurove, duke shënuar një rritje prej 11.1 pikë përqindje.
Gjermania ishte partneri më i rëndësishëm për eksportin e mallrave në BE, duke kontribuar me 9.2 pikë përqindje të eksporteve totale, ndjekur nga vendet si Franca, Italia dhe Holanda.
Ndërkaq, për sa i përket importit, Gjermania po ashtu ishte vendi me pjesëmarrjen më të lartë, duke arritur në 12.3 pikë përqindje të vlerës totale të importit, ndjekur nga Holanda, Belgjika dhe Franca.
Rënia e eksporteve me vendet e CEFTA-s
Raporti i fundit i ASK-së tregon se në muajin mars 2023, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-së u ulën në 32.0 milionë euro, duke përfaqësuar 39.2 për qind të eksporteve totale dhe një rënie prej 6.3 pikë përqindje.
Ndër partnerët kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin Maqedonia e Veriut (14.6 pikë përqindje), Shqipëria (11.0 pikë përqindje), Serbia (6.3 për qind) dhe Mali i Zi (5.8 pikë përqindje).
Importet nga vendet e CEFTA-së arritën në 92.5 milionë euro, duke përfaqësuar 18.2 për qind të importeve totale dhe një rënie prej 7 pikë përqindje. Në këtë kategori, vende me pjesëmarrje më të lartë ishin Serbia (5.8 për qind), Shqipëria (5.5 për qind) dhe Maqedonia e Veriut (5 për qind).
Rënia e eksporteve me vendet e CEFTA-s është alarm për tregun vendas. Në këtë ndikim ka edhe shteti i Bosnjë-Hercegovinës, i cili po bllokon produktet e shtetit të Kosovës të cilat eksportohen në këtë shtet.
Vende tjera
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 21.6 milionë euro. Në këtë grup të vendeve, partnerët më të rëndësishëm për eksport ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një pjesëmarrje prej 12.2 për qind, dhe Zvicra, me një pjesëmarrje prej 7.7 për qind.
Ndërkohë, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës në muajin mars të vitit 2023 arritën në 187.8 milionë euro, e cila përbën 36.9 për qind të importeve totale të Kosovës. Në këtë grup të vendeve, partnerët më të rëndësishëm për import ishin Turqia, me një pjesëmarrje prej 14.3 për qind, dhe Kina, me një pjesëmarrje prej 8.4 për qind.
Si qëndron Kosova me eksport dhe import?
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, importi i Kosovës gjatë vitit 2022 ka arritur vlerën mbi 5.6 miliardë euro ndërsa eksporti mbi 860 milionë euro
Krahasuar me vitin 2021, eksportet janë rritur me mbi 100 milionë euro, ndërsa importet me mbi 1 miliard euro. Kjo diferencë e madhe në import dhe eksport rezulton që deficiti tregtar i Kosovës të arrijë vlera rekord.
Nëse shikojmë të dhënat e importit në 5 vitet e fundit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, eksporti ka shpërthyer që nga viti 2021.
Deri në vitin 2020, Kosova ka përjetuar rritje në eksport tepër të ngadaltë, dy vite më pas është dyfishuar duke arritur mbi 860 milionë euro në vitin 2022.
Vendi ka pasur thuajse të njëjtin fat edhe me importin i cili që nga viti 2020 (3.2 miliardë) deri në vitin 2022 (5.6 miliardë) gati është dyfishuar. /Nacionale/