Rriten për 9 për qind rastet e dhunës në familje nga viti i kaluar – gratë viktima në 75 për qind të rasteve

- Advertisement -
Dhuna, e çfarëdo forme qoftë, është e patolerueshme dhe dënohet me ligj. Megjithatë, në Kosovë dhuna është një dukuri mjaft prezentë, sidomos dhuna në familje.

Raportet e Policisë tregojnë çdo ditë për raste të dhunës në familje, derisa shkaqet janë të ndryshme.

Dhuna mund të jetë verbale, psiqike dhe ajo më e rënda, fizike. Statistikat janë të larta dhe nga janari i vitit të kaluar, krahasuar me janarin e këtij viti, numri i rasteve të dhunës në familje është rritur për 9 për qind.

Ndërsa, që nga viti 2010 e tutje, me numrin më të lartë të rasteve ka qenë viti 2024.

Kështu tregojnë statistikat nga Policia e Kosovës, sipas të cilave, viktimat janë kryesisht femra, në 75 për qind të rasteve.

Arsyet që çojnë në dhunë janë të ndryshme, traditat e vjetrat, kushtet ekonomike, xhelozia, çrregullimet mendore e traumat e ndryshme.

Pasojat që lë dhuna janë të shumta dhe trajtimi nga to merr shumë kohë.

Policia e Kosovës i trajton me prioritet rastet e dhunës në familje.

Major Luljeta Limani – drejtoreshë e Drejtorisë së Parandalimit dhe Hetimit të dhunës në familje në Policinë e Kosovës, ka thënë se në vitin 2025 ka pasur një rënie të lehtë të numrit të rasteve, krahasuar me vitin 2024.

“Gjatë vitit që e lamë pas, domethënë gjatë vitit 2025, Policia e Kosovës ka iniciuar dhe trajtuar gjithsej 2815 raste të dhunës në familje, që të gjitha rastet janë trajtuar domethënë me prioritet dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka thënë ajo.

“Nëse ne i referohemi analizave, domethënë statistikore që i posedon Policia e Kosovës për rastet e dhunës në familje, gjatë viteve që e lamë pas ka pasur një luhatje të lehtë të rasteve, mirëpo nëse e krahasojmë rastet e raportuara ndër vite, domethënë prej viteve kështu 2010-2011 deri në vitin 2024, viti 2024 ka qenë viti me numrin më të madh të rasteve të raportuara, por që në vitin 2025 kemi pasur një ulje të lehtë të raportimit të rasteve, diku mbi 4% ka qenë ulja e numrit të raportimeve të rasteve të vitit 2025 krahasuar me vitin 2024”, është shprehur Limani.

Por, nga janari i vitit të kaluar, këtë vit rastet janë rritur për 9 për qind, teksa dhe vetëdija e qytetarëve për t’i raportuar rastet është rritur.

“Sa i përket këtyre dy muajve, domethënë të dy viteve, në këtë në këtë muajin janar të vitit 2026 kemi pasur një rritje të lehtë të raportimit të numrit të rasteve, domethënë me krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, diku rreth 9% kemi pasur, ose numerikisht 231 raste kanë qenë të raportuara në vitin 2025, përderisa në vitin 2026 kemi 252 raste të raportuara në janar. Duke i marrë parasysh shumë faktorë të shumtë që i prijnë domethënë dhunës në familje, por gjithashtu besoj që kemi edhe një ngritje të besimit të qytetarëve te Policia e Kosovës, për shkak që Policia e Kosovës tashmë jeni një njohuri që ka ngritur kapacitetin në trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe të gjitha rastet hetohen dhe trajtohen prej njësive, hetuesve të profilizuar dhe profesionalizuar për dhunën në familje”, ka theksuar ajo për Expose.

Dhuna është disa lloje, psikologjike, fizike, ekonomike e seksuale.

Majorja Limani për Expose thotë se në rastet e raportuara në polici, prijnë dhuna psikologjike dhe ajo fizike, shpesh dhe të kombinuara.

Ajo ka renditur dhe arsyet që çojnë në dhunë, sipas rasteve që raportohen.

“Zakonisht format më të shpeshta që i raportojnë viktimat dhe dhunës në familje janë dhuna psikologjike, dhuna fizike, ekonomike dhe seksuale. Po nga të gjitha këto domethënë dhuna psikologjike prinë, e pasuar nga dhuna fizike, kurse këto dy domethënë format e tjera janë më pak të raportuara, por gjithashtu dhuna psikologjike dhe fizike shpesh janë edhe të kombinuara brenda një rasti. Kurse shkaktarët kryesor zakonisht që ne i posedojmë të dhënat janë traditat e vjetra, pushteti domethënë që kërkon të vendosë njëri anëtar i familjes ndaj anëtarëve tjerë, xhelozia, kushtet sociale, ndonjëherë kemi edhe marrëdhënie të çrregulluara brenda vetë familjeve që rezultojnë pastaj dhe me dhunën në familje. Kemi edhe raste kur vetë domethënë të dyshuarit janë në ndikim të alkoolit, ndikim të drogës, çrregullime mendore, trauma të ndryshme, domethënë këto janë përafërsisht edhe format edhe arsyet që vijnë deri te dhuna në familje”, ka potencuar ajo.

E, sipas të dhënave statistikore, rreth 75 për qind e viktimave janë femra.

“Sipas statistikave diku rreth afër 75% janë femra, kurse afërsisht 20 e mbi 24% janë meshkuj që raportojnë, domethënë që janë viktima të dhunës në familje. Pra i kemi të dy të kombinuara, por që prinë gjinia femërore në aspektin e viktimave”.

Majorja Limani ka thënë se zakonisht raportues të dhunës janë vetë viktimat, por ka raste që raportohen edhe nga familjarë, institucione arsimore apo sociale.

“Zakonisht në shumicën e rasteve vetë viktimat janë edhe raportuesit kryesor të dhunës në familje, por ka raste që raportohen edhe nga familjarët, nga fqinjët, institucionet arsimore, ëh institucionet domethënë sociale, qendra për punë sociale, shëndetësore e kështu me radhë. Mirëpo duke e marrë parasysh thash që kemi edhe faktorët domethënë edhe raportuesit e tjerë përveç vetë viktimave, kjo nënkupton edhe një rritje të ndërgjegjësimit shoqëror domethënë për të mos heshtur ndaj dhunës”, ka deklaruar Limani.

Mirëpo, në anën tjetër, ka raste kur pasi e raportojnë dhunën në polici, viktimat duan të tërhiqen nga rasti.

Majorja Luljeta Limani ka treguar për Expose se çka ndodhë në këto raste.

“Po. Po zakonisht viktimat kur vijnë në stacion policor edhe raportojnë rastin, por edhe kur viktima don me u tërheq prej rastit, tashmë me Konventën e Stambollit dhe me ligjet në fuqi, domethënë rasti procedohet penalisht, nuk ka as nuk ka pajtim, po edhe nëse vetë viktima atëherë policia janë të obliguar me i mbledh provat dhe në konsultime me prokurorin përkatës me vepru konform legjislacionit në fuqi”, ka theksuar ajo.

Përpos tërheqjes, policia përballet edhe me raportime të rrejshme të rasteve të dhunës në familje.

“Zakonisht ka raste të tilla, po domethënë në rasti trajtohet si rast fillimisht, pastaj në mungesë të elementeve të veprës penale, domethënë dhe në mungesë të provave përkatëse, atëherë konsultohet prokurori përkatës dhe të gjitha veprimet e tjera ndërmerren në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka potencuar majorja.

“Njoftojmë të gjithë opinionin që meqenëse dhuna në familje nuk është çështje private, por është shkelje e ligjit dhe cenim i sigurisë, domethënë çdo raportim shpëton jetë. Andaj policia mbetet e përkushtuar dhe në parandalimin dhe luftimin e çdo forme të dhunës. Inkurajojmë çdo qytetar të raportojë për shkak që raportimi shpëton jetë dhe ndihmon në mbrojtjen e viktimave”

Krejt në fund, majorja Limani ka dhënë dhe një mesazh për dhunën në familje dhe raportimin e saj.

“Edhe për çdo viktimë që raporton rast, domethënë këtu është shënimi i numrit të rastit, domethënë si stacioni policor e merr hetuesi, janë të këto janë detyrat çka hetuesi duhet me diskutu, këto janë të drejtat që ligjore që i ka viktima, domethënë pa pagesë, shërbimet që i ofron shteti, ndihmën, përkthimin, ndihmën mjekësore, ndihmën juridike falas, mbrojtjen e viktimës, të drejtën për urdhër mbrojtës, domethënë komplet këtu. Edhe tash këtu është statusi i rastit, domethënë kjo i jepet çdo viktimës, për shkak që viktima jo çdoherë din me qenë jemi kuptu policinë, për situatën ose për rrezikun që i ka ndodhur. Po kur qetësohet në shtëpi, ajo mundet me i lexu të drejtat ose ai edhe e din saktë nëse ka nevojë diku e gjen veten ku me kërku ndihmën”, ka përfunduar majorja Luljeta Limani./Gazeta Blic/

Të ngjashme

Të fundit