Rriten për 20 për qind ankesat ndaj zyrtarëve policorë

- Advertisement -

Detyrë kanë ta mbrojnë rendin dhe qetësinë publike.

Por, për ta, janë deponuar mbi 2 mijë e 500 ankesa.

Përgjatë vitit 2025, për zyrtarët policorë pati rritje të ankesave për 20 për qind.

“IPK ka pranuar mbi 20% më shumë ankesa në vitin 2025 (2539 ankesa) krahasuar me vitin e kaluar (2046 ankesa në vitin 2024) e që i referohet kryesisht disa faktorëve si: fuqizimit të besueshmërisë së qytetarëve në Inspektoratin Policor, transparencës së institucionit etj”, thuhet nga IPK.

Autoriteti mbikëqyrës i Policisë së Kosovës, tregoi për mediumin edhe statistikat vjetore të masave të ndërmarra.

“IPK ka arrestuar 47 të dyshuar (41 punonjës të PK-së dhe 6 qytetarë), ka dhënë 129 rekomandime për suspendim,ka dhënë 2 rekomandime për transfer, në prokuroritë kompetente janë dorëzuar 110 Kallëzime Penale, 36 Raporte të Veçanta dhe 85 Raporte Informuese”.

Këto statistika po vlerësohet se duhet të jenë tregues që të ngritet niveli i disiplinës në Policinë e Kosovës.

“Në punën policore shumë ka peshë të rëndësishme bashkëpunimi me qytetarët, komunikimi i mirë me qytetarët sepse qytetarët në rast se krijohet një klimë që po keqtrajtohen qytetarët nga Policia tani ka mundësi një video e cila publikohet në rrjete sociale ka mundësi të bëhet virale dhe të shpërndahet shumë shpejt që policia e ka keqpërdorë një qytetar apo disa qytetarë, ajo mund të ketë konotacion shumë të keq në imazhin e Policisë së Kosovës”, thotë ish-drejtori i Policisë, Reshat Maliqi.

Sipas ish-drejtorit të Policisë, statistikat për suspendim e arrestim, nuk nënkuptojnë largim të menjëhershëm nga puna.

“Rekomandimet e tilla kur jipen janë hetime fillestare dhe nuk është e thënë që duhet të përfundojnë në forma të tilla dhe gjithsesi menaxhmenti edhe t’i suspendon ata Policë apo edhe të ndërmerrë masa, por realisht ato duhet shiqohen, analizohen, shqyrtohen dhe vërtetë të shihet se a ka elemente që të ndërmirret ndonjë masë”.

Nga fillimi i këtij viti e deri më tani, në Policinë e Kosovës janë suspenduar 14 zyrtarë policorë.

Të ngjashme

Të fundit