1.7 C
New York
Saturday, November 30, 2024

Buy now

Rritet indinjata dhe ndasitë politike në Izrael, mes thirrjeve për lirimin e pengjeve

- Advertisement -

Të afërmit e pengjeve izraelite që mbahen nga militantët e Hamasit në Gazë protestuan para shtëpisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu të shtunën, duke kërkuar nga qeveria e tij të ndërmarrë hapa vendimtarë për të siguruar lirimin e të dashurve të tyre, ndërkohë që thellohen ndasitë mbi drejtimin e luftës brenda kabinetit izraelit.

Anëtarët e një grupi që përfaqëson familjet e pengjeve thanë se “ishin lutur për 105 ditë” dhe tani kërkojnë nga qeveria të ndërmarrë hapa të guximshëm për të liruar pengjet.

Ish-shefi i ushtrisë izraelite Gadi Eisenkot, anëtar i Kabinetit të Luftës së Izraelit, ka thënë se armëpushimi është mënyra e vetme për të siguruar lirimin e tyre, një koment që nënkupton kritika ndaj strategjisë aktuale të Izraelit për të mos hequr dorë nga lufta kundër militantëve të Hamasit deri sa ajo organizatë të shkatërrohet.

Protesta para shtëpisë së kryeministrit dhe komenti i zotit Eisenkot janë shenja të mosmarrëveshjeve në rritje në Izrael mbi drejtimin e luftës, që është në muajin e katërt.

Udhëheqja e Izraelit përballet me presione nga disa drejtime. Nga njëra anë, zoti Netanyahu përballet me anëtarët e krahut të djathtë të koalicionit të tij qeverisës që duan intensifikimin e luftën kundër Hamasit. Nga ana tjetër ai po has thirrje për përmbajtje nga aleati i vet, SHBA dhe familjet e pengjeve, të cilët kanë frikë se përshkallëzimi i aktivitetit ushtarak rrezikon më tej jetën e pengjeve.

Udhëheqësi izraelit ka thënë se synon “fitoren e plotë” ndaj Hamasit, por nuk ka thënë se si do ta arrijë atë. Kritikët e kanë akuzuar atë se nuk po lejon hapjen e një debati në nivel kabineti për një skenar të pasluftës për Gazën. Ata thonë se Netanyahu po e zvarrit një gjë të tillë për të parandaluar përplasje brenda koalicionit të tij.

Biden dhe Netanyahu, qëndrime të ndryshme për një shtet të ardhshëm palestinez

Kryeministri iNetanyahu u duk të shtunën se doli kundër deklaratave të presidentit amerikan Joe Biden për një shtet palestinez pas përfundimit të luftës kundër Hamasit në Gaza.

Zoti Biden tha të premten se kishte folur në një telefonatë me zotin Netanyahu për zgjidhjet e mundshme për krijimin e një shteti të pavarur palestinez, duke sugjeruar se një alternativë mund të ishte një qeveri e çmilitarizuar.

“Në bisedën e tij me Presidentin Biden, kryeministri Netanyahu përsëriti qëndrimin e tij se pasi Hamasi të shkatërrohet, Izraeli duhet të ruajë kontrollin e sigurisë mbi Gazën për t’u siguruar që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin, gjë që bie ndesh me kërkesën për sovranitetin palestinez”, thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit.

E pyetur të sqarojë nëse zoti Netanyahu është kundër çdo lloj alternative për një shtet palestinez, zyra e tij nuk u përgjigj menjëherë.

Telefonata mes dy udhëheqësve ishte e para prej gati një muaji, tha Shtëpia e Bardhë.

I pyetur nëse një zgjidhje me dy shtete ishte “e pamundur” ndërsa kryeministri Netanyahu është në pushtet, presidenti Biden tha: “Jo, nuk është”.

Presidenti u tha gazetarëve të mbledhur në Shtëpinë e Bardhë se ai beson se “ka disa lloje zgjidhjesh me dy shtete” dhe se zoti Netanyahu mund të jetë i hapur për një prej tyre.

Zoti Netanyahu nuk ka refuzuar drejtpërdrejt dhe qartë krijimin e një shteti palestinez. Por të enjten ai tha se në çdo zgjidhje në të ardhmen e parashikueshme “Izraeli duhet të ketë kontrollin e sigurisë mbi të gjithë territorin në perëndim të lumit Jordan. Ky është një kusht i domosdoshëm. Kjo bie ndesh me parimin e sovranitetit, por nuk kemi ç’të bëjmë.”

Bisedimet e paqes të mbështetura nga SHBA drejt së ashtuquajturës “zgjidhje me dy shtete”, dështuan një dekadë më parë.

Të enjten, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller tha se nuk kishte asnjë mënyrë për të zgjidhur sfidat afatgjata të sigurisë të Izraelit dhe sfidat afatshkurtra të rindërtimit të Gazës pa krijimin e një shteti palestinez. Zoti Miller tha se Izraeli kishte një mundësi tani pasi vendet në rajon janë të gatshme për të ofruar garanci sigurie për Izraelin./VOA/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit