Blerim Isufaj është ndër prokurorët kryesorë që duhet të hetojë kryerësit e veprave penale.
Por sipas Agjencisë Kundër Korrupsion, edhe kryeprokurori i Speciales Blerim Isufaj është një shkelës ligji.
Për të ardhur deri në këtë përfundim, sa për ti ngritur kallëzim penal në fillim-shkurt 2022, AKK-ja u bazua në pasqyrën e të hyrave vjetore të 2019-ës ku Isufaj deklaroi vetëm 33,819 euro nga 37,721 nga sa mori gjithsej atë vit.
Kryeprokurori nuk i shpëtoi ndjekjes së AKK-së edhe pasi ishte sqaruar se pjesën tjetër të të hyrave, 2,742 euro nga paga mujore dhe 1,159 euro nga trajnimet në Akademinë e Drejtësisë, nuk i ka deklaruar pa dashje, dhe për shkak se në mars 2020 kur është bërë deklarimi, si pasojë e pandemisë, nuk ka arritur t’i nxjerrë transaksionet e plota nga banka.
Por këtij arsyetimi i besoi Prokuroria Themelore në Pejë, ku u delegua lënda.
Me anë të aktvendimit që siguroi Klani, këta e hodhën poshtë kallëzimin penal më 4 mars.
“Në rastin konkret mungon pikërisht dashja si element subjektiv i kësaj vepre penale. Kjo për faktin se të hyrat e padeklaruara nga ana e të dyshuarit janë 3,902 euro, të gjitha janë të hyra nga institucionet publike të cilat i dyshuari i ka pranuar përmes llogarisë bankare.” – thuhet ndër të tjera në aktvendimin e Themelores.
Tashti që zyrtarisht është jashtë llupës së prokurorisë, Blerim Isufaj është sërish i barabartë në garën për Kryeprokuror të Shtetit, me 5 kundërkandidatë tjerë.