Aeroplani me 72 pasagjerë është rrëzuar në aeroportin Pokhara në pjesën qendrore të Nepalit, kurse tashmë janë gjetur 40 trupa të pajetë, kanë bërë të ditur ekipet e shpëtimit.
Aeroplani i aviokompanisë Yeti Airlines, po udhëtonte nga Katmanduja në drejtim të Pokharit, kur u rrëzua pak para se të zbriste në pistë dhe më pas u përfshi nga zjarri.
Në aeroplan ishin 68 pasagjerë, përfshirë 10 shtetas të huaj dhe katër anëtarë të ekuipazhit, raporton Reuters.
Ushtarët e Nepalit janë përfshirë në operacionin e kërkim-shpëtimit, transmeton Telegrafi.
“Presim të gjejmë më shumë kufoma”, tha zëdhënësi i ushtrisë – duke shtuar se “aeroplani është ndarë në copa”.
Kryeministri Pushpa Kamal Dahal, ka thirrur takim urgjent të kabinetit të tij – si dhe ka ftuar agjencitë shtetërore që të marrin pjesën në operacionin e kërkim-shpëtimit.
Janë publikuar pamjet ku shfaqet momenti kur aeroplani rrëzohet, derisa po fluturonte shumë ulët në afërsi të pistës së aeroportit.