Policia Kufitare e Shqipërisë ka shpëtuar tre persona që rrezikuan të mbyteshin në det pasi skafi i tyre pësoi defekt gjatë lundrimit.
Pas njoftimit të marrë mbrëmë nga Salla Operative e DRKM Vlorë, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë punën për t’i shkuar në ndihmë një mjeti lundrues skaf në zonën Grame-Brisanit.
Pas kërkimeve, u bë i mundur lokalizimi i skafit që kishte pësuar defekt teknik dhe po përmbytej. Në bord ndodheshin tre shtetas, të cilët u morën dhe u shoqëruan me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, drejt bregut, në gjendje të mirë shëndetësore.
Falë reagimit të menjëhershëm dhe profesionalizmit të shërbimeve të Policisë Kufitare, u sigurua shpëtimi i këtyre 3 shtetasve, të cilët i falënderuan shërbimet e Policisë, për ndihmën që iu dhanë.
Pavarësisht përpjekjeve të shërbimeve të Policisë Kufitare për ta tërhequr dhe për ta nxjerrë skafin në breg, ai u fundos në det.