“Serbia do të aktivizojë lobuesit kundër këtij nominimi, por kjo është një fitore e madhe për Kosovën dhe kauzën e të mbijetuarve të dhunës seksuale”, me këto fjalë, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) Feride Rushiti, ka përshkruar rëndësinë e nominimit për Çmimin Nobel për Paqe, duke e cilësuar këtë nominim, si një njohje globale për përpjekjet e Kosovës dhe të mbijetuarve të krimeve të luftës.
Rushiti në një intervistë për Ekonomia Online tha se ky vlerësim është një moment i veçantë jo vetëm për organizatën, por për gjithë shoqërinë kosovare.
Ajo ka theksuar se nuk kishte pasur informacione paraprake për këtë nominim, por që sipas saj, nga shoqëria ndërkombëtare lajmi për nominim për Çmimin Nobel për Paqe është cilësuar si lajmi më i gëzuar që i bëhet Kosovës, pas pavarësisë.
“Si organizatë kemi punuar ndër vite për grupet të cilat i përfaqësojmë edhe ju ndihmojmë edhe asnjë herë nuk na kanë motivuar ose nuk na kanë udhëhequr mirënjohjet ndërkombëtare, padyshim ato çdo herë kur na kanë ardhur kanë qenë një frymëzim edhe energji për të ecur tutje mbi sfidat me të cilat ne i përfaqësojmë edhe kauzën të cilën ne e mbrojmë. Megjithatë, nominimi për Çmimin Nobel ka ardhur fare pa dijeninë tonë”, tha Rushiti për Ekonomia Online.
Ajo ka thënë se ky nominim është një vlerësim që i është bërë jo vetëm Kosovës, por edhe kauzës së të mbijetuarve që e dërgon në një nivel global.
“Eocionalisht nuk është që je përgatitur sikur kur e din edhe emocionet arrin që t’i menaxhosh ndryshe, në atë moment kam pasur telefonata, thirrje nga miqtë, bashkëpunëtorët, të aktivisteve. Disa shoqe të mia ndërkombëtare me të cilat bashkëpunoj më kanë thënë që pas pavarësisë së Kosovës, ky është lajmi më i gëzuar që i bëhet Kosovës dhe nderi më i madh. Edhe unë e kam pritur kështu, jo vetëm për vetën, jo vetëm për organizatën, jo vetëm për kauzën edhe me mijëra zëra të grave dhe burrave të cilët falë mbijetesës që e kanë arritur dhe ndarë përvojën e tyre me organizatën, mendoj që është një vlerësim që i është bërë Kosovës edhe kauzën e të mbijetuarve e dërgon në një nivel global”, tha Rushiti për Ekonomia Online.
Rushiti thekson se nominimi për çmimin Nobel është lehtësimi më i madh i mundshëm edhe amplifikimi i gjithë atyre zërave të pa dëgjuar në nivel ndërkombëtar
“Unë nuk mendoj që do të kishim mundur më ndryshe, unë kam marr edhe mirënjohje të tjera që kanë vulosur një njohje ndërkombëtare pastaj kanë qenë, aktivistet si Vasfija dhe Shyhreti që vazhdimisht kemi qenë në Samite të përbashkëta ku kemi folur për krimet e bëra në vitet 99-ta edhe shumë të tjera që ende nuk kanë dal në sipërfaqe. Nominimi për çmimin Nobel mendoj që është lehtësimi më i madh i mundshëm edhe amplifikimi i gjithë atyre zërave të pa dëgjuar në nivel ndërkombëtar”, ka thënë ajo për Ekonomia Online.
Rushiti tha se ky nominim është një përvojë e re për vendin dhe se është e rëndësishme që të ndërtohet një strategji e mirëfilltë, në mënyrë që të arrihet suksesshëm deri në rrugëtimin e fundit.
Për këtë, ajo tha se është në kontakt me grupe të ndryshme dhe rrjete ndërkombëtare, të cilat sipas saj, janë aktivizuar vullnetarisht për të lobuar që të fitohet ky çmim.
“Me institucionet e Kosovës kam qenë në kontakt, kam marr urime. Është edhe një përvojë e re edhe për ne si organizatë, mendoj edhe për institucionet dhe gjithë shoqërinë kosovare. Jam shumë mirënjohëse prej grupeve të ndryshme ndërkombëtare edhe në nivel shoqëror edhe nga rrjetet të cilat janë aktivizuar vullnetarisht për të lobuar nëpër rrjetet ku ata përfaqësojnë ndërkombëtarisht, pastaj jam edhe në kontakt edhe me rrjetet të cilat punojmë edhe bashkëveprojmë si organizatë. Duhet dalëngadalë të ndërtojmë një strategji të mirëfilltë në mënyrë që me arrit suksesshëm deri në rrugëtimin e fundit, pastaj kush do të jetë fituesi unë mendoj vetë nominimi është fitore në vetvete, kush do të jetë më i miri le ta merr çmimin”, ka thënë ajo.
Rushiti tha se duke marrë parasysh që ky nominim ndërlidhet mbi kauzën e krimeve të luftës, Serbia do të aktivizojë lobuesit e saj kundër këtij nominimi, por që sipas saj, kjo në vetvete është një fitore pavarësisht lobimeve që mund të bëhen nga shteti serb.
“Marrë parasysh që krejt nominimi ndërlidhet mbi kauzën e krimeve të luftës, mendoj që edhe nuk ka pasur ndonjë lëvizje përtej dialogut aktual që është duke zhvilluar nuk ka pasur ndonjë njohje apo kërkim falje në raport me krimet e luftës. Serbia natyrisht do t’i aktivizoj lobuesit e vetë kundër edhe këtij nominimi, por sido që të jetë e vlerësojmë shumë që deputeti suedez bashkë me partin e tij e ka parë më së të rëndësishme që pjesë e kësaj kandidaturë për Çmimin Nobel për Paqe të jetë edhe QKRMT. Kjo në vetë vete është një fitore pavarësisht lobimeve që mund të bëhen nga Serbia apo akter të tjerë”, ka thënë ajo.
Rushiti në këtë intervistë ka folur edhe në lidhje me sfidat që kanë kaluar përgjatë viteve në trajtimin e të mbijetuarve të dhunës.
Ajo ka përmendur se shumë vite janë nevojitur për të arritur njohjen dhe ndryshimin e ligjeve që trajtojnë këto krime, një proces që ka qenë shumë i ngadaltë, por që ka filluar të jap rezultate.
Rushiti ka thënë se nga ky proces tani rreth 2,200 viktima të dhunës seksuale të kryera gjatë luftës kanë kërkuar pensionin personal, që sipas saj, nuk janë ndihma të mëdha, por që shërbejnë si një drejtësi sociale e njohjes së dhimbjes dhe sakrificës së tyre.
“Për këtë lloj natyre të krimit, të dhunës seksuale është trajtuar brenda familjes. Nganjëherë edhe brenda individit as në familje qoftë grua apo burrë nuk ka arritur që ta ndajë. Pasi ka të bëjë me integritetin e individit dhe nuk është e lehtë të flasësh pasi në shoqërinë tonë edhe është ndërlidhur me nderin e moralin, ka mbizotëruar kulturë paragjykuese, stigmatizuese në relacion me këtë grup të ndjeshëm shoqëror dhe natyrisht ka qenë shumë, shumë sfiduese me arrit me vu kontakte me thyer atë barrierën mesë familjes, komunitetit dhe shoqërisë. Më pastaj ka qenë po ashtu një periudhë e gjatë që ne si organizata të shoqërisë civile kemi avokuar për ndryshime ligjore dhe njohje ligjore dhe njohje ligjore të kësaj plage të luftës e cila nuk ka zgjatur pak, rreth 15 vite me radhë është dashur të avokohet, është dashur të pruhet kjo plagë në sipërfaqe që përfundimisht institucionet e Kosovës ti njohin edhe me arrit me tregu kujdesin adekuat në relacion me këtë krim të luftës. Kjo ka marr kohë me fillu me u zbatu, tash janë rreth 2,2000 gra e burra që kanë kërkuar të drejtën që ju takon, pra pension personal që nuk është ndonjë ndihmë e madhe, më shumë është një farë lloj drejtësie sociale për mënyrën që shteti ja ka njohur vuajtjen sakrificën dhimbjen dhe ka krijuar një farë lloj fuqizimi në nivel familjes, nivel të komunitetit”, ka thënë ajo për Ekonomia Online.
Nominimi i Rushitit u bë nga deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson, i cili, në një letër dërguar Komitetit të Institutit Norvegjez të Nobelit, theksoi se ky vendim u mor për të njohur “kontributet e jashtëzakonshme” të Rushitit dhe QKRMT-së “në avancimin e të drejtave të njeriut, dinjitetit të të mbijetuarve dhe shërimin e plagëve të luftës të komuniteteve”.