1.8 C
New York
Tuesday, December 2, 2025

Buy now

Rrezikohen zgjedhjet, Qeveria ende nuk ia ndan KQZ-së buxhetin për organizimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit

- Advertisement -

 

Qeveria në detyrë ende nuk i është përgjigjur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në kërkesën për ndarjen e buxhetit për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Kanë kaluar një javë që KQZ-ja i është drejtuar Qeverisë së Kosovës për ndarjen e buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por ekzekutivi i drejtuar nga Albin Kurti ka heshtur.

Më 26 nëntor KQZ-ja ka kërkuar nga qeveria ndarjen e 11.5 milionë eurove për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Ndonëse kanë mbetur më pas se një muaj nga data e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, kabineti qeveritar nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë vonës.

Nga KQZ-së i kanë treguar Nacionales se kjo është situatë e paprecedentë.

Sipas këtij burimi, kjo neglizhencë e qeverisë rrezikon seriozisht organizimin e operacioneve të ndryshme zgjedhore dhe rrjedhimisht rrezikohet gjithë procesi zgjedhor.

Me dhjetëra aktivitete tenderuese për organizimin e zgjedhjeve nuk do të mund të as të fillojnë pa u siguruar paraprakisht mjetet financiare.

“Ditët për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme janë të numëruara dhe kjo është situatë e paprecedentë pasi asnjëherë KQZ s’është përballur me mungesë fondesh, qoftë kur zgjedhjet kanë qenë të jashtëzakonshme”, ka thënë një burim brenda KQZ-së, duke treguar se cilat procese rrezikohen.

“Në mesin e operacioneve tjera që rrezikohen janë – shtypja e fletëvotimeve, furnizim me material për votim jashtë Kosovës, pakot e trajnimit, format zgjedhore, transporti i materialit zgjedhor, kabinat e votimit, ngjyrat matrikulare, furnizimi me vula, materialet administrative, distinktivët”, ka thënë burimi.

Ndonëse KQZ nuk e ka buxhetin e kërkuar për organizimin e zgjedhjeve, ky institucion pritet që gjatë ditës së sotme (e martë) të mbajë mbledhje për të vendosur për rekomandimin “për zhvillimin e procedurave emergjente ekstreme për aktivitetet e prokurimit që lidhet me Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, 28.12.2025”.

Nacionale ka mësuar se në procedura emergjente përfshihet shtypja e fletëvotimeve, materialet për votim jashtë Kosovës, shërbimet postare për votimin jashtë Kosovës, pakot e trajnimit, transporti i materialit zgjedhor, kabinat e votimit, vulat e zgjedhjeve, e shumë të tjera.

Nacionale ka parë këtë rekomandim, që do prezantohet me shumë vonesë në KQZ pavarësisht faktit të njohur publik se zgjedhjet janë të parakohshme dhe do të mbahen për më pak se 40 ditë. Por, ky rekomandim, tregon listën e operacioneve zgjedhore që varen nga mjetet buxhetore.

Në procedura emergjente përfshihet shtypja e fletëvotimeve, materialet për votim jashtë Kosovës, shërbimet postare për votimin jashtë Kosovës, pakot e trajnimit, transporti i materialit zgjedhor, kabinat e votimit, vulat e zgjedhjeve, e shumë të tjera.

Vetëm sipas buxhetit të miratuar nga KQZ, 3.7 milionë euro janë të planifikuara për shërbimet postare për organizimin e votimit jashtë Kosovës.

Këtu përfshihet dërgimi i fletëvotimeve me postë për votuesit e regjistruar për të votuar me postë.

Sipas afateve të vendosura nga KQZ, votimi me postë duhet të fillojë në 12 dhjetor dhe nuk dihet nëse gjithçka do të jetë gati për këtë datë.

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi, kanë kundërshtuar fuqishëm dërgimin me postë të fletëvotimeve, por kjo është mbështetur nga anëtarët tjerë, të cilët kanë argumentuar se në këtë mënyrë sigurohet që procesi zgjedhor nuk do të manipulohet.

Në mbledhjen e KQZ-së të mbajtur më 25 nëntor është marrë vendim për miratimin e planit të buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Sipas njoftimit të KQZ-së, për organizimin e këtyre zgjedhjeve nevojiten mbi 11 mijë euro.

“Buxheti i planifikuar dhe miratuar për këto zgjedhje është në vlerën: 11,493,526 Euro. Kostoja fillestare e planifikuar dhe prezantuar në mbledhjen e KQZ-së ishte në vlerën 7,771,486 Euro. Vlera përfundimtare e buxhetit të planifikuar përfshin edhe miratimin e amendamentit të propozuar gjatë mbledhjes që parasheh dërgimin e pakove me fletëvotime në adresë të votuesve, të cilët do të regjistrohen për të votuar përmes postës. Kostoja e përafërt për dërgimin e pakove me fletëvotime përmes shërbimit postar është në vlerën e 3,722,040 dhe është llogaritur për rreth 84,000 votues potencial”, është thënë në njoftimin e KQZ-së.

Të ngjashme

Të fundit