Analisti politik Vehbi Kajtazi ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje “gënjeshtrën e ka bukë”.
Në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se nga gënjeshtrat, anëtarëve të këtij subjekti politik u mundësohet që të marrin vota dhe të marrin të mira që u vijnë nga pushteti.
Këtë deklaratë e tha Kajtazi derisa ishte duke folur për një artikull të “Nacionales” që është publikuar dje dhe thuhet se deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, shihet duke komunikuar me dikë që i jep instruksione se si të përdor një aplikacion që quhet “Zeoob: Gjenerues i Postimeve të Rreme në Facebook me Komente”.
“Me u lidh tek zonja Pacolli, mos të harrojmë ajo është motra e Fitim Pacollit, i cili ka krijuar edhe ka udhëhequr një faqe të ashtuquajtur ‘Me kryeministrin’. Me atë faqe është zhvilluar një makineri e jashtëzakonshme propagandistike dhe sulmuese në raport me kundërshtarët apo me ata që i konsiderojnë kundërshtarë të regjimit të Albin Kurtit. Pra, këta e kanë bukë këtë punë, pra si të them ‘rrenën’ e kanë bukë prej kësaj jetojnë dhe prej kësaj u mundësohet të fitojnë vota dhe të fitojnë të mira, që i fitojnë këto të mira që ua sjellë pushteti”, pohoi Kajtazi.
“Sa i përket popullit, a e konsiderojnë këta kaq të padijshëm? Fatkeqësisht, gogja i padijshëm është populli ynë, po flasim për një shtresë të njerëzve që më shumë i besojnë hoxhës sesa mjekut, më shumë i besojnë Burdushit e Biomulaku sesa mjekut. Nëse jemi në këto situata se njerëzit për çështjen më të ndjeshme që është shëndeti i tyre, zgjedhin t’iu besojnë mashtruesve. Pastaj, me lehtësinë më të madhe u besojnë pastaj lajmeve të rreme që i krijon regjimi i Albin Kurtit dhe makineria e tyre propagandistike”, tha Kajtazi.