Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë nuk ka plane të urdhërojë forcat ushtarake serbe të kalojnë kufirin me Kosovën, në një deklaratë për Financial Times; kjo pas paralajmërimit dhe kërkesës së rreptë amerikane për largimin e numrit masiv të trupave dhe pajisjeve ushtarake që ka dislokuar në afërsi të kufirit me Kosovën.
Ndonëse Shtëpia e Bardhë tha se kishin vëzhguar vendosje të madhe të “artilerisë serbe, tankeve dhe njësive të mekanizuara të këmbësorisë” pranë kufirit me Kosovën, Vuçiq e quajti këtë një “rrenë të kulluar”, pasi kjo, sipas tij, “kjo do të rrezikonte pozicionin e saj në bisedime”.
“Pse kjo do të ishte e dobishme për Beogradin?” ka thënë Vuçiq. “Cila do të ishte ideja? Për të shkatërruar pozicionin tonë që kemi ndërtuar prej një viti? Për ta shkatërruar këtë brenda një dite? Serbia nuk do luftë”. – ka thënë Vuçiq.’
Vuçiq gjithashtu pretendoi se numri i forcave serbe pranë kufirit me Kosovën ishte në rënie. “Vitin e kaluar kemi pasur 14,000 burra pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000.” – pohoi ai.