Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani, ka deklaruar se nuk sheh ndonjë mundësi që Glauk Konjufca të zgjidhet kryeministër i Kosovës.
Sipas tij, veprimi i Lëvizjes Vetëvendosje me kandidimin e Konjufcës nuk ka qenë as veprim e as qëllim për të dalë nga kriza politike.
Rrahmani theksoi se, në vend të kësaj, kryetarët e subjekteve politike do të duhej të takoheshin për të diskutuar dhe për të nxjerrë një kandidat të përbashkët.
“Duke marrë parasysh deklarimet e subjekteve politike parlamentare të cilat janë deri tash nuk është që ka ndonjë gjasë që Konjufca të zgjidhet si kryeministër i Kosovës, mirëpo kjo mbetet të shihet gjatë javës kur do që Kuvendi thërret seancë për formimin e qeverisë, mirëpo nuk shoh ndonjë ndryshim të paktën publike. Gjithçka ka qenë kurth i njërit – tjetrit për me e zbulua se kush është fajtor, si duket subjektet politike shumë më të rëndësishme kanë komoditetin e tyre në pozitën e tyre se sa interesin e shtetit dhe qytetarëve… Besoj që qytetarët do të tregojnë nëse Kosova shkon në zgjedhje të reja dhe LVV do të ketë rënie të votave, veprimi i LVV-së me kandidimin e Konjufcës nuk ka qenë një veprim apo qëllim për dalje nga kriza, nuk mundesh me e nxjerr kandidat dhe me kërkua mbështetjen e dikujt pa dakordim paraprak, në qoftë se e kishin pasur seriozisht me dalë nga ky ngërç, është dashur me u mbledh me diskutua me e nxjerr një kandidat”, ka deklaruar Rrahmani në emisionin “Ditari” në Tëvë1.






