Eman Rrahmani, deputet i Kuvendit të Kosovës në disa legjislatura, tha se Qeveria në fund të qershorit do ta sjellë në Kuvend “ligjin ku lejohet ndërrimi i gjinisë”.
Ai tha se asnjë nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje “nuk është tërhequr nga kjo agjendë”.
“Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria e Albin Kurtit kanë njoftuar se ligjin ku lejohet ndërrimi i gjinisë do ta sjellin në Kuvend për votim më datë 30.06.2026. Në zgjedhjet e fundit kam parë shumë kandidatë për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje duke deklaruar në fushatë që Albin Kurti nuk e bjen ligjin për me ndërru gjininë, ligjin për me u martu burri me burr e gruja me grua, ligjin për me lind gratë pa burra. Sot të gjithë ata kanë para vetes agjendën legjislative të Albin Kurtit për vitin 2026, ku në dorën e tyre i kanë këto tre ligje me të cilat mashtruan votuesit e tyre dhe qytetarët e vendit. Secili që ka qenë në listë të VV-së e ka ditë që Albini nuk është tërhequr nga kjo agjendë. Ai asnjëherë nuk ka deklaruar se është tërhequr nga këto ligje”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Rrahmani thotë se “ambiciet e ulëta për interesa të ulëta i kanë detyruar këta njerëz me mashtru votuesit e tyre në fushatë, me premtimin që këto ligje nuk vijnë në Kuvend”
“Sot ata do të duhej të tregonin të vërtetën, a i mashtroi Albini këta deputetë apo këta deputetë mashtruan qytetarët? Fatkeqësisht, në mbështetje publike ka pasur edhe shumë figura me ndikim, intelektualë, profesorë, akademikë, disa hoxhallarë e priftërinj që në mënyrë direkte apo indirekte kanë kërkuar mbështetje për Albin Kurtin. Mbështetje që do të thotë mbështetje për ligjet ku lejohet ndërrimi i gjinisë, martesat burrë me burr e grua me grua, ku lejohet që gratë të lindin pa burr e fëmijët mos me ditë kush e ka nënën e kush babën, pra le ta dijë secili që ka kërkuar votë për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, ka kërkuar votë për me u leju ndërrimi i gjinisë, martesat e të njëjtës gjini, lindja e fëmijëve pa babë”, shkruan ai.
Rrahmani kërkon që anëtarët e LVV-së dhe “figura politike me ndikim në shoqëri”, të cilët ai thotë se e kanë mbështetur atë ligj, duhet “t’u japin arsyetim qytetarëve”.
“Besoj që është e udhës që të gjithë këta, si figura publike me ndikim në shoqëri, t’u japin arsyetim qytetarëve, çfarë dobie ka lobimi i tyre për dikë që angazhohet për këtë agjendë, që sipas bindjes time është kundër Zotit, kundër familjes, kundër njeriut, kundër shoqërisë e kundër Kosovës”.






