Amir Rrahmani ka arritur ta fitoj titullin e kampionit në Itali me Napolin pas një sezoni spektakolar.
Qendërmbrojtësi prishtinas ka qenë ndër lojtarët kryesorë të Napolit këtë edicion dhe ndër më meritorët për suksesin historik, ku u rikthye titulli pas 33 viteve.
Falë paraqitjeve fantastike me klubin italian, shumë skuadra ishin vënë pas kapitenit të Kosovës, por Napoli e ka blinduar atë.
Bisedimet për një kontratë të re kishin nisur muaj më parë, por Rrahmani tanimë ka nënshkruar vazhdimin e kontratës me kampionin e ri të Italisë.
Këtë e ka konfirmuar edhe gazetar Fabrizio Romano, duke zbuluar se kontrata është nënshkruar dhe ditëve në vijim pritet zyrtarizimi nga Napoli.
“Amir Rrahmani tani ka nënshkruar kontratë të re afatgjate me Napolin. Ajo do të jetë e vlefshme deri në qershor të vitit 2027, ashtu siç pritej”.
“Kontrata e re do të përfshijë gjithashtu një opsion të vlefshëm për një tjetër vit”, thuhet në njoftimin e Fabrizio Romanos.
Me kontratën e re, Rrahmani pritet të ketë edhe rritje page nga 1,8 sa fiton aktualisht në muaj paga e tij do të rritet në rreth tre milionë euro në sezon.