Napoli ka shënuar një fitore të pastër 2-0 ndaj Milanit në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë, duke konfirmuar formën e mirë dhe duke prerë biletën për në finale.
Skuadra e Antonio Contes e nisi ndeshjen me presion të lartë dhe kontroll të topit. Eljif Elmas dhe David Neres ishin aktivë në fazën ofensive, ndërsa Matteo Politano krijoi vazhdimisht probleme në krahun e djathtë të mbrojtjes së Milanit.
Rasti i parë serioz për kuqezinjtë u regjistrua në minutën e 16-të, kur Alexis Saelemaekers dështoi të konkretizojë një mundësi të mirë, duke e dërguar topin mbi traversë.
Epërsia e Napolit u materializua në minutën e 39-të. David Neres, pas një aksioni të shpejtë dhe të ndërtuar bukur shfrytëzoi gabimin e portierit Maignan, duke shënuar për rezultatin 1-0.
Milani tentoi të reagojë në pjesën e dytë me përpjekje nga Christopher Nkunku dhe Adrien Rabiot, por mbrojtja e Napolit qëndroi e organizuar. Goditjen vendimtare e dha Rasmus Højlund në minutën e 63-të, kur pas një pasimi të saktë u shkëput nga mbrojtja dhe shënoi me një goditje të ulët për 2-0.
Rasti më i mirë i Milanit në vazhdimësi erdhi në minutën e 70-të, por goditja me kokë e Youssouf Fofana u ndal nga portieri i Napolit.
Në minutat e fundit, Napoli administroi me qetësi rezultatin, duke mos lejuar hapësira për kundërshtarin. Në finale, napolitanët do të përballen me fituesin e duelit Bologna–Inter, që zhvillohet të premten nga ora 20:00.






