Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Burimet Periskopit kanë treguar se Rrahman Jasharaj ndodhet në kujdesin intensivë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.
Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i kësaj sindikate, Ymer Ymeri, ka njoftuar se Jashari sot ka dhënë shenja të përmirësimit në krahasim me ditën e djeshme kur edhe është dërguar në spital.
‘‘Po, po, e vërtetë, fatkeqësisht është e vërtetë, është në spitalin e Pejës. Por ka shenja të përmirësimit. Prej dje është i shtrirë në spital, por në krahasim me gjendjen qysh e ka pas dje, sot është më mirë’’, ka thënë Ymeri për Express.
I njëjti, ka treguar se Jashari për shkak të marramendjes është rrëzuar duke pësuar kështu tronditje, por që fatmirësisht ka pasur lëndime serioze.
Ymeri ka thënë se ende nuk dihet se kur kryetari i SBASHK-ut Jasharaj do të lirohet nga spitali.
‘‘Nuk dihet për shkak se, ju kanë marr pak mendtë, është rrëzu dhe e ka pas një tronditje, por fatmirësisht nuk ka diçka lëndime serioze, ose gjakderdhje të brendshme nuk ka. Me shëndet ka qenë pak ma gjatë, ka një muaj e gjysë, dy gati, që ka qenë pak me tension me sheqer’’, ka thënë ai.