Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj është deklaruar pas sulmit ndaj tij nga një prind në shkollën fillore “Isamail Qemali”, në Prishtinë, ku edhe ishte duke mbajtur një takim me mësimdhënësit.
Një pjesë e Këshillit Qendror Grevist të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK), shoqëruar nga Këshilli Qendror Grevist i BSPK-së ishin sot për vizitë shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, kur edhe u sulmua Rrahman Jasharaj.
Jasharaj ka thënë se nuk ka marrë asnjë goditje dhe nuk ka asnjë lëndim nga ky sulm, por që ka qenë më shumë tentim për sulm, mirëpo kërkon që të ketë siguri në shkolla pasi që siç tha ai takimi ishte vetëm me mësimdhënësit dhe jo edhe me prindërit.
“Fillimisht po ju them edhe pse ndoshta është plasuar në medie nuk ka pasur një sulm, ka ndodh një tentim përplasje, nuk kam marrë asnjë goditje, asnjë lëndim, sepse kanë qëlluar edhe mësimdhënësit edhe kolegët e mi nga këshilli drejtues dhe këshilli grevistë dhe kanë hy në mes dhe e kanë ndal dhe njëri nga kolegët e mi edhe ka komunikuar me plakun dhe ka thënë se unë e marrë në mbrojtje. Por e ka kritikuar se pse një prind të vijë kur mbledhja ishte me mësimdhënësit. Dhe do të thotë kjo ka kaluar pa përplasje më të mëdha, nuk ka pasur asnjë sulm fizik, kam pasur një tentim për sulm nga një i moshuar”, tha Jasharaj.
Ai tha më tej se kjo pakujdesi tregon se si përballen çdo ditë mësimdhënësit në shkolla me raste të tilla.
“Mirëpo nga pakujdesia eventuale e shkollës, tregon dhe mua po më dhimbsen kolegët e mi se që punojnë gjithë vitin në shkollë, ky moment tregon se sa janë të sigurta shkollat. Pra në shkollë mund të hyjë kush të dojë, e unë prapë ndoshta e kam lënduar ndonjë individ me deklaratë mirëpo mësimdhënësit tonë janë gjithmonë në një mundësi të tillë, që ndonjë prind i inatosur për ndonjë 2-sh apo 3-sh të vijë në shkollë dhe t’i sulmojë, pse jo edhe nga një nxënës”, tha më tej Jasharaj.
Kryetari i SBBASHK-ut kërkoi më tej nga Qeveria që të ketë më shumë siguri në shkolla.
“Pra kjo që ndodhi sot e kalojë pa asnjë pasojë le të jetë një mësim edhe për Qeverinë edhe për të tjerët që shkollat kur të fillojë mësimi të jenë shumë më të sigurta se tani dhe mos të mundësohet që kush t’i tekët të hyjë në shkollë”, përfundoi Jasharaj për Demokracia.com.
Kujtojmë se shkollat në Kosovë janë në grevë që nga 25 gushti, për arsye se Qeveria nuk është duke i plotësuar kërkesat e tyre.