Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në Fushë-Kosovë, Rrahim Tërnava, ka reaguar pas raportimeve se gjatë ditës ka pasur takime me kandidatin e VV për kryetar të komunës, Valon Prebveza.
Në një deklaratë publike, Tërnava ka sqaruar se takimet me kandidatët e LDK-së dhe Vetëvendosjes janë zhvilluar me iniciativën e tyre dhe kanë qenë vetëm konsultative.
“Pas rezultatit zgjedhor të 12 tetorit, takimet me dy përfaqësuesit e dy partive politike në Fushë-Kosovë, përkatësisht me kandidatin e LDK-së dhe VV-së, kanë ardhur me iniciativën e tyre dhe kanë qenë takime konsultative, e asgjë më shumë,” – tha ai.
Ai theksoi se këto takime janë pjesë e kulturës demokratike dhe nuk kanë prodhuar asnjë vendim konkret.
“Nuk bëhet fjalë për marrëveshje apo koalicione, por vetëm për konsultime të zakonshme. Koalicionet dhe marrëveshjet i bëjmë në degën tonë, në konsultim të plotë me qendrën e PDK-së,” – shtoi Tërnava.
Kreu i PDK-së në Fushë-Kosovë gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e lajmeve tendencioze.
“Çdo lajm me konotacion politik i publikuar në media është dhe mbetet vetëm spekulim për qëllime folklorike e komerciale,” – përfundoi Tërnava.
Reagimi i plotë:
Të dashur bashkëqytetarë, anëtarë, aktivistë, mbështetës e simpatizantë
Pas rezultatit zgjedhor të 9 tetorit, takimet me dy përfaqësuesit e dy partive politike në Fushë-Kosovë, përkatësisht me kandidatin e LDK-së dhe VV-së kanë ardhë me iniciativën e tyre dhe kanë qenë takime konsultative e asgjë më shumë, e ripërsëris vetëm takime konsultative. Jemi në demokraci, prandaj takimet janë pjesë e kulturës politike, nuk janë as blasfemi e as herezi.
Në këto takime nuk është vendosur për asgjë konkrete dmth nuk bëhet fjalë për marrëveshje e as koalicione por konsulta të zakonshme.
Koalicionet e marrëveshjet ne i bëjmë në degën tonë në konsultim të plotë me qendrën e PDK-së
Unë si Kryetar i PDK-së, për çdo gjë deri më tani kam informuar votuesit, anëtarët e simpatizantët, dhe kësisoji çdo lajm tendencioz dhe me konotacion politik i publikuar në media, janë e mbeten vetëm spekulime për qëllime folklorike dhe komerciale.