Luis Nazario Da Lima, më mirë i njohur si Ronaldo dëshiron të rikthehet në botën e futbollit.
Por, këtë radhë, futbollisti legjendar e synon një pozitë mjaft prestigjioze – atë të presidentit të Federatës Braziliane të Futbollit.
Ish-futbollisti i PSV Eindhoven, Barcelona, Inter, Real Madrid e Milan mund ta pasojë Ednaldo Rodriguezin në zgjedhjet që do të mbahen në mars të vitit 2026, shkruan “Express”.
Ronaldo “i vërteti” është pronar i klubit Real Valladolid, ndërsa do të mundohet ta fitojë së paku një mandat në krye të Konfederatës braziliane.
Për ta arritur këtë, ai duhet t’i bind të paktën katër Federata shtetërore dhe katër klube braziliane.
Ronaldo beson se futbolli brazilian do të zhvillohet më shumë dhe se do të ecën përpara nëse ai do ta marrë në dorë.
“Jam 100 për qind i përgatitur. Jam i emocionuar, i motivuar dhe kam shumë njerëz të mëdhenj që duan të ndihmojnë. Jam i emocionuar për mundësinë që të udhëtoj në të gjithë Brazilin për të biseduar me drejtorët e Federatës dhe me klubet. Unë mendoj se e kemi një histori të mrekullueshme për ta shkruar shumë shpejt”, deklaroi “O Fenomeno” teksa i përmendi arsyet që e bindën që ta kërkojë këtë pozitë të privilegjuar në shtetin e tij.
Ronaldo, dikur kampion bote me Brazilin dhe fitues i Topit të Artë, konsiderohet si njëri prej sulmuesve më të mirë në histori të futbollit.