Tashmë nuk ka më asnjë dyshim: Cristiano Ronaldo do të vazhdojë të luajë në Arabinë Saudite edhe për një vit.
Legjendës portugeze i është bërë një ofertë e parezistueshme dhe një kontratë vërtet e parefuzueshme, edhe pse kjo nuk është arsyeja e vetme dhe kryesore që do ta shtyjë atë që të vazhdojë ta vesh fanellën e Al Nassr.
Do të jetë një martesë me kohë afatgjate, një angazhim i besimit, i cili do t’i rezistojë çdo tentative.
Portugezit në fakt i është ofruar një pjesë minimale e pronësisë së klubit, të cilin e përqafoi pas largimit nga Manchester United.
Drejtuesit e klubit saudit, në tentim për ta bindur që super-ylli botëror të qëndrojë, ia kanë ofruar atij 5% të aksioneve të klubit në këtë realitet të ri historik të futbollit në Arabinë Saudite, i cili bëri revolucion mbi të gjitha në vitin e fundit me arritjen e yjeve të futbollit evropian.
“Për mua është një nder që kampionati po rritet dhe që shumë yje po vijnë dhe që po e bëjnë ligën më të mirë e më konkurruese”, kishte thënë “CR7”.
Një sjellje gjithmonë sportive, një lojtar që gjithmonë e ka dhënë maksimumin në fushën e blertë.
Më pas, natyrisht është çështja ekonomike, një tjetër faktor i rëndësishëm.
Ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Manchester Unitedit, Real Madridit dhe Juventusit pranoi ta vazhdojë kontratën për një vit në këmbim të 183 milionë eurove.
Nëse e bëjmë një llogari më të hollësishme e shohim se përfaqësuesi portugez do t’i marrë 15,25 milionë euro në muaj.
E nëse hyjmë edhe më thellë e vërejmë se rroga javore e Ronaldos do të jetë, besoni ose jo: 3,8 milionë euro.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë dhe pesë herë fituesi i Ligës së Kampionëve do t’i marrë 550 mijë euro në ditë.
Kjo i bie që aktualisht Ronaldo e ka rrogën më të lartë në botën e futbollit.