Djali i Ronaldinhos, Joao Mendes, zyrtarisht ka nënshkruar për Barcelonën pasi mbushi 18-vjeç më 25 shkurt, pas një prove nga ish-klubi i babait të tij në janar. Ai tani do të nisë punën me akademinë e famshme të klubit, La Masia.
Mendes e filloi karrierën e tij te Flamengo, përpara se të luante edhe për Vasco da Gama dhe Boavista-RJ në nivelin e të rinjve. Në vitin 2019, ai i bëri përshtypje Cruzeiros, që i dha një kontratë gjashtëvjeçare, por pasi kaloi tre vjet me ekipin, ai e prishi kontratën dhe shkoi në provë te Barcelona.
Babai i tij, Ronaldinho ka fituar dy tituj të La Ligës dhe një Ligë të Kampionëve, duke fituar gjithashtu ‘Topin e Artë’, por presidenti i Barçës, Joan Laporta pranon se presioni ndaj djalit të tij do të jetë i madh.
“Presioni mbi djalin tashmë është i lartë, sepse Ronaldinho ishte një nga më të mirët në histori. Djali ka presion dhe detyra e trajnerëve është ta zhvillojnë atë”, tha Laporta.