Sot në Komisionin për Integrim Evropian, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka bërë thirrje që Kosova të bëjë më shumë përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash me Serbinë.
Sipas Rohde, është shumë e rëndësishme “që të arrihet një momentum në bisedimet me Serbinë”.
“Gjermania i ka ofruar asistencë të madhe shtetit të Kosovës në arritjen e reformave. Kosova ka mbetur e përkushtuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, por duhet akoma përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Raporti për Kosovën duhet të shihet që të na kujtojë të gjithëve se cilat reforma duhet të bëhen që Kosova të avancojë në qëllimin e saj që të bëhet anëtare e BE-së. Reformat nuk duhet bërë vetëm nga Qeveria, por edhe nga Kuvendi”, tha Rohde gjatë takimit në Komisionin për Integrim Evropian.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, foli për mungesën e bashkëpunimit pozitë e opozitë, me ç’rast tha se si shkak i mosvotimit të Marrëveshjeve Ndërkombëtare, Kosova i humb 400 milionë euro.
Ambasadori gjerman tha po ashtu se sfiduese për Kosovën mbetet lufta ndaj korrupsionit, reforma e administratës publike dhe sundimi i ligjit.